Rruga Ndroq-Plepa, përfundojnë 5 km e parë. Në nëntor hapet gara për segmentin e fundit

Rruga Kombinat–Ndroq–Plepa po shkon drejt realizimit të plotë, me financimin e të gjithë segmentit dhe vijimin e procedurave për ndërtimin e pjesëve të mbetura. Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, bëri të ditur se 5 kilometrat e parë deri në Pezë kanë përfunduar dhe janë marrë në dorëzim nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, ndërsa për 9 kilometrat pasues kontrata është lidhur tashmë. Për 10 kilometrat e fundit, që e çojnë aksin deri në Plepa të Durrësit, financimi është siguruar dhe procedura e konkurrimit pritet të hapet deri në mesin e nëntorit.
Sipas Karakaçit, objektivi është që kontraktimi i të gjithë segmentit të përfundojë brenda këtij viti, duke i hapur rrugë vijimit të punimeve në të gjithë aksin. Ministri theksoi se për dy kontratat e lidhura për 9 kilometrat pasues, mobilizimi i kantierit pritet të nisë në fillim të nëntorit. Ndërkohë, për segmentin e fundit prej 10 kilometrash, synimi është që procedura të shpallet në mesin e nëntorit dhe kontratat të lidhen në fillim të janarit.
“Po marrim të gjithë hapat e nevojshëm për të përmbyllur rrugën Kombinat-Plepa. Tashmë 5 kilometërshi i parë që të çon deri në Pezë është i përfunduar dhe tashmë e ka marrë në dorëzim Autoriteti Rrugor Shqiptar”, deklaroi Karakaçi.
Ministri e cilësoi këtë aks të rëndësishëm për shkak të funksionit të tij si rrugë alternative drejt Durrësit, veçanërisht gjatë sezonit turistik, kur trafiku në akset kryesore rëndohet. Përveç lehtësimit të lëvizjes, rruga pritet të përmirësojë aksesin e zonave bujqësore me Tiranën dhe Durrësin, si dhe të rrisë potencialin ekonomik dhe vlerën e pronave në zonën përreth.
Drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ami Kozeli, bëri të ditur se rruga do të ndërtohet sipas kategorisë C1, me gjerësi totale 12.5 metra. Projekti parashikon dy karrexhata me gjerësi 3.75 metra secila, dy bankina të asfaltuara nga 1.5 metra dhe dy bankina të paasfaltuara nga 1 metër.
Një ndër ndërhyrjet e rëndësishme në këtë aks është ndërtimi i urës së re të Beshirit mbi lumin Erzen, për të cilën kontrata është lidhur në korrik të këtij viti. Ura e re do të ndërtohet paralelisht me urën ekzistuese dhe do të ketë një gjatësi prej 179 metrash, me gjashtë hapësira: katër prej 30 metrash dhe dy prej 29.5 metrash.
Sipas Kozelit, puna për urën ka nisur me piketimet, lirimin e sheshit të ndërtimit dhe mobilizimin e kontraktorit. Kontrata parashikon një afat realizimi prej 12 muajsh, ndërsa dy kontratat për segmentet rrugore prej 9 kilometrash kanë afat 24 muaj. Drejtori i ARRSH-së u shpreh se nuk parashikohen vështirësi për përfundimin e punimeve brenda afateve të kontraktuara.






Comments