top of page

Rruga dytësore Tiranë–Durrës, shpallet fituesi i tenderit. Gati nisja e punimeve

4 days ago
2 min read

Bashkia e Tiranës ka përmbyllur procedurën e prokurimit për rikonstruksionin e rrugës dytësore Tiranë–Durrës, në segmentin nga spitali Hygeia deri te Megatek. Fitues është shpallur bashkimi i operatorëve ekonomikë “Vëllezërit Hysa” sh.p.k. dhe “Ergi” sh.p.k., me një ofertë prej rreth 4,3 milionë eurosh. Fondi limit ishte rreth 594,9 milionë lekësh pa TVSH, ose afërsisht 6,26 milionë euro. Projekti financohet nga të ardhurat e Bashkisë Tiranë dhe parashikon një afat prej pesë muajsh kalendarikë për realizimin e punimeve, nga nënshkrimi i kontratës.


Aksi rrugor ka një gjatësi prej rreth 6,8 kilometrash dhe shtrihet paralel me autostradën Tiranë–Durrës, nga rrethrrotullimi pranë spitalit Hygeia deri te mbikalimi i Rinasit, në zonën e Megatek. Rruga shërben për aksesin në zonën industriale dhe në fshatrat përreth, përfshirë Laknasin dhe Domjen, si dhe për shpërndarjen e trafikut që përshkon këtë korridor. Sipas dokumentacionit të projektit, ndërhyrja synon të rikonstruktojë një aks të amortizuar, ku janë evidentuar dëmtime të shtresave të asfaltit, trotuare të degraduara dhe problematika në ndriçimin publik e sistemimin e ujërave të shiut.


Punimet parashikojnë gërmimin e strukturës ekzistuese dhe ndërtimin e një pakete të re rrugore, me shtresa stabilizuese dhe bituminoze. Karrexhata do të ketë dy korsi, me gjerësi nga 3,25 metra secila, ndërsa do të ndërhyhet edhe në trotuare dhe në rampat e aksesueshmërisë. Projekti përfshin gjithashtu sistemimin e ujërave të shiut përmes pusetave të reja, instalimin e ndriçimit LED, vendosjen e linjave nëntokësore për telefoninë dhe fibrat optike, si dhe ndërtimin e një rrjeti të dedikuar për mbrojtjen nga zjarri. Parashikohet edhe mbjellja e pemëve dekorative përgjatë segmentit. Rikonstruksioni synon të përmirësojë sigurinë dhe kushtet e lëvizjes në një nga akset dytësore që lidh zonën industriale me autostradën Tiranë–Durrës.


Comments


Na ndiqni për zhvillimet nga ekonomia në llogaritë:

  • Facebook
  • Instagram
bottom of page