Rriten pagat në ndërtim! Tatimet nxjerrin shifrat

Sektori i ndërtimit po shënon rritje të numrit të punonjësve të deklaruar, pagave dhe detyrimeve të paguara. Sipas të dhënave të publikuara nga Administrata Tatimore, në qershor 2026, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit 2025, paga bruto në sektorin e ndërtimit është rritur me 23%, ndërsa kontributet e sigurimeve shoqërore janë rritur me 25%. Tatimi mbi të Ardhurat nga Punësimi, ndërkohë, është rritur me 49%. Edhe numri i punonjësve të deklaruar ka shënuar rritje. Në qershor 2025 ishin të deklaruar 63,041 punonjës, ndërsa në qershor 2026 numri arriti në 65,241, ose rreth 2,200 punonjës më shumë, me një rritje prej 3%.
Të dhënat e Administratës Tatimore tregojnë gjithashtu ndryshime të ndjeshme sipas niveleve të pagave. Numri i punonjësve në fashën deri në 39,999 lekë ka rënë me 4%, ndërsa në fashën 50,000 lekë është shënuar rritje prej 156%. Rritje është regjistruar edhe në grupet e pagave 70,001–100,000 lekë, me 119%, 100,001–120,000 lekë, me 79%, si dhe mbi 120,000 lekë, me 49%.
Në krahun e kundërt, numri i punonjësve në fashën 40,000 lekë ka rënë me 99%, në fashën 40,001–49,999 lekë me 91%, ndërsa në fashën 50,001–70,000 lekë me 13%. Plani Sektorial i Ndërtimit u miratua në janar 2026, me synimin për të forcuar përmbushjen e detyrimeve tatimore, ulur informalitetin dhe rritur transparencën në këtë sektor. Administrata Tatimore njoftoi që në dhjetor 2025 publikimin e pagave indikative për profesionet e ndërtimit, të cilat do të përdoreshin si një nga elementet për vlerësimin e riskut të subjekteve. Nga 16 janari 2026 nisën edhe kontrollet në terren për subjektet e vlerësuara me risk për nëndeklarim të pagave. Kontrollet synojnë të krahasojnë pagat e deklaruara me nivelet indikative sipas profesioneve dhe tregut të punës. Në kuadër të planit, Administrata Tatimore analizon të dhëna nga burime të ndryshme, përfshirë vetëdeklarimet e bizneseve, sistemin elektronik të faturimit dhe të dhëna të marra nga institucione apo palë të treta. Këto të dhëna përdoren për të identifikuar mospërputhje dhe subjekte që mund të paraqesin risk për shmangie tatimore.







Comments