Rekord legalizimesh në 2026, mijëra qytetarë marrin zgjidhje për pronën e tyre

Mbi 28 mijë vendime për legalizimin e ndërtimeve janë dhënë nga Kadastra gjatë 9 muajve të parë të vitit 2026, një volum që sipas drejtueses së institucionit, Lorena Goxhobelli, ka tejkaluar të gjithë numrin e vendimeve të dhëna gjatë vitit 2025. Bilanci i publikuar nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës tregon një përshpejtim të procesit të formalizimit të pronësisë, paralelisht me digjitalizimin e dokumentacionit dhe zgjerimin e regjistrimit të pasurive. Sipas Goxhobellit, një pjesë e rëndësishme e punës gjatë këtij viti ka qenë mbyllja e proceseve të mbetura pezull, me synimin për ta bërë administrimin e pronës më të shpejtë dhe më efikas.
Krahas legalizimeve, Kadastra ka avancuar edhe në transformimin digjital të dokumentacionit të pronësisë. Gjatë vitit 2026 janë digjitalizuar 4.2 milionë kartela pasurish, ndërsa ka nisur edhe projekti kombëtar për digjitalizimin dhe gjeoreferimin e 38 mijë hartave dhe planshetave fizike. Ndërkohë, Regjistrimi Fillestar ka arritur në 95.3% të territorit të vendit, duke përmbushur objektivin e përcaktuar në kuadër të procesit të integrimit evropian. Një tjetër proces i evidentuar nga Kadastra është formalizimi i pronësisë mbi tokën bujqësore. Për herë të parë, procesi i kalimit të tokës bujqësore në pronësi është shtrirë në 59 fshatra, ku objektivi është trajtimi i rreth 1 mijë kërkesave.
Institucioni po ndryshon ndërkohë edhe mënyrën e ndërveprimit me qytetarët, përmes një qasjeje të re “derë më derë”. Kjo qasje po zbatohet aktualisht në fshatrat e Bashkisë Himarë, veçanërisht për banesat që vijojnë të jenë pa dokumentacion pronësie. Ekipet e Kadastrës synojnë të identifikojnë dhe trajtojnë nga afër problematikat e pronësisë, duke nisur nga zonat rurale ku çështjet e dokumentacionit kanë mbetur të pazgjidhura prej vitesh.






Comments