top of page

Regjistër për protestuesit e dhunshëm: Kufizime në aeroporte, hotele e trena

Oct 21
1 min read

Krijimi i një regjistri për personat që përfshihen në akte dhune dhe kufizimi i aksesit të tyre në shërbime e ambiente publike janë disa nga masat që kryeministri Edi Rama paralajmëroi pas protestave të dhunshme. Kreu i qeverisë tha se ka nisur bashkëpunimi me vendet e Bashkimit Europian për të kufizuar lëvizjen e personave të identifikuar si të dhunshëm. Rama njoftoi gjithashtu se qeveria synon të investojë në teknologji për identifikimin e protestuesve që fshehin fytyrën, përfshirë ata që përdorin kapuçë apo mbulojnë plotësisht identitetin. Kryeministri paralajmëroi se pasojat financiare të dëmeve mund të shtrihen edhe te familjet e të miturve që përfshihen në shkatërrimin e pronës së të tjerëve.


“Do të vijë fatura në familje, do të paguajë familja. S’do të marrë shërbim nga shteti familja e një të mituri që vjen dhe djeg pronat e një tjetri”, deklaroi Rama. Sipas tij, personat e përfshirë në akte dhune mund të përballen me kufizime në aeroporte, hotele, trena dhe mjete të tjera transporti. Ai tha se bashkëpunimi me vendet e BE-së për këtë qëllim ka nisur tashmë.


Rama i bëri thirrje qytetarëve të distancohen nga dhuna, duke theksuar se protestat duhet të zhvillohen përmes dialogut dhe përballjes demokratike. Ai solli në vëmendje edhe protestën e vitit 2018, të cilën e përmendi si shembull të një procesi ku dialogu mund të çojë në zgjidhje. Masat e paralajmëruara vijnë pas sulmeve ndaj bankave dhe dëmtimit të pronës gjatë protestave.

Comments


Na ndiqni për zhvillimet nga ekonomia në llogaritë:

  • Facebook
  • Instagram
bottom of page