top of page

Reforma Administrativo-Territoriale 2.0, PS propozon uljen e bashkive nga 61 në 46

  • Jul 31
  • 2 min read

Mazhoranca ka hedhur në konsultim publik paketën e Reformës Administrativo-Territoriale 2.0, e cila parashikon një riorganizim të ri të pushtetit vendor në Shqipëri. Deputetët e grupit parlamentar të PS-së, anëtarë të Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale, ua kanë përcjellë propozimin kryetarëve të bashkive dhe këshillave bashkiakë për shqyrtim dhe konsultim me qytetarët brenda një afati 60-ditor.

Sipas modelit të propozuar, bashkia mbetet e vetmja njësi e vetëqeverisjes vendore, me një kryetar, një këshill, një administratë dhe një buxhet të vetëm. Risia kryesore është krijimi i një niveli të ri organizimi vendor, “Qyteti”, i cili do të ketë rol më të qartë në planifikim, përfaqësim dhe organizimin e shërbimeve, nën koordinimin e një nënkryetari të bashkisë.

Skema aktuale “Bashki – Njësi Administrative” zëvendësohet me strukturën “Bashki – Qytet – Njësi Administrative”. Në praktikë, 28 bashki konsolidohen në 13 bashki të reja, duke e ulur numrin e përgjithshëm të bashkive nga 61 në 46. Struktura e re do të përfshijë 46 bashki, 71 qytete përbërëse dhe 387 njësi administrative, ndërsa 20 bashki do të kenë më shumë se një qytet.

Rreth 225 mijë banorë përfshihen drejtpërdrejt në bashkitë që do të bashkohen. Ndër rastet kryesore të propozuara janë bashkimi i Beratit me Dimalin dhe Poliçanin, duke krijuar një bashki me rreth 99 mijë banorë, si dhe bashkimi i Elbasanit me Cërrikun dhe Belshin, që do të arrinte në rreth 157 mijë banorë.

Paketa parashikon gjithashtu bashkimin e Klosit me Matin, Rrogozhinës me Kavajën, Patosit me Fierin, Divjakës me Lushnjën, Selenicës me Vlorën, Maliqit me Korçën, Këlcyrës me Përmetin, Memaliajt me Tepelenën, Libohovës me Gjirokastrën dhe Prrenjasit me Librazhdin.

Nga ana tjetër, bashki si Pusteci, Finiqi, Dropulli, Tropoja, Hasi, Skrapari dhe Konispoli do të ruhen si raste të veçanta, pavarësisht treguesve financiarë dhe demografikë.

Mazhoranca i ka bërë thirrje opozitës që ta shqyrtojë paketën me “përgjegjësi shtetërore” dhe ta mbështesë në sesionin parlamentar të vjeshtës, me synimin për të realizuar një reformë të re territoriale me konsensus sa më të gjerë politik.

Comments


Informohuni për zhvillimet nga ekonomia.

  • Instagram
  • Facebook

© 2026 

bottom of page