Rama njofton ministrinë e re, krijohet javën e ardhshme. Ja kush pritet ta drejtojë

Qeveria pritet të krijojë javën e ardhshme Ministrinë e Administratës Publike. Njoftimi u bë nga kryeministri Edi Rama, i cili argumentoi se ngritja e institucionit të ri lidhet me rolin gjithnjë e më të rëndësishëm të administratës në funksionimin e qeverisë dhe në procesin e integrimit europian të Shqipërisë. Gjatë fjalës së tij,
Rama tha se administrata publike është kthyer në një nga çështjet qendrore të punës së qeverisë dhe të zhvillimit të mëtejshëm të shtetit shqiptar. "Do të krijojmë javën e ardhshme Ministrinë e Administratës Publike, pikërisht sepse tanimë tema e administratës publike është një temë shumë qendrore e punës së qeverisë, por është një temë shumë qendrore edhe e shtetbërjes së mëtejshme europiane të Shqipërisë”, deklaroi kryeministri. Sipas tij, ministria e re synon të zgjerojë përgjegjësitë dhe objektivat për modernizimin e administratës, duke ndjekur një model që, siç u shpreh, zbatohet edhe në vende të tjera europiane.
“Është nevoja që, përmes Ministrisë së Administratës Publike, një model që e kanë shumë vende të tjera europiane, ne të zgjerojmë gamën e detyrave, gamën e punëve dhe, patjetër, edhe gamën e ambicieve për të ngritur më lart shtetin europian të shqiptarëve”, tha Rama. Gjatë deklaratës së tij, kryeministri la të kuptohet se drejtimi i institucionit të ri do t’i besohet Adea Pirdenit, e cila aktualisht mban postin e ministres së Shtetit për Administratën Publike. “Në këndvështrimin tim nuk diskutohet që Ministrinë e Administratës Publike mund ta drejtojë vetëm ministrja e Shtetit për Administratën Publike”, u shpreh Rama.






Comments