Qiratë “çmendin” studentët në Tiranë, një apartament kushton 12 herë më shumë se konvikti

Nisja e vitit të ri akademik i vendos mijëra studentë përballë një tjetër kostoje të lartë: gjetjes së një banese në Tiranë. Me konviktet që nuk arrijnë të mbulojnë kërkesën dhe qiratë që mbeten të larta, strehimi po kthehet në një nga shqetësimet kryesore për familjet që duhet të përballojnë shpenzimet e studimit.
Rreth 75 mijë studentë pritet të ndjekin këtë vit studimet universitare, ndërsa kapacitetet e konvikteve publike dhe private në kryeqytet janë të mjaftueshme vetëm për rreth 7% të tyre. Kjo do të thotë se pjesa dërrmuese duhet të gjejë një zgjidhje tjetër për strehimin. Alternativa e apartamenteve me qira rezulton ndjeshëm më e kushtueshme. Sipas të dhënave të referuara nga Banka e Shqipërisë në material, kostoja mesatare mujore e një apartamenti në Tiranë arrin në 52 mijë e 240 lekë.
Në krahun e kundërt, shpenzimi mujor për një student në konvikt është rreth 4 mijë e 300 lekë. Diferenca mes dy alternativave është rreth 12-fish, duke e bërë qiranë e një apartamenti një barrë të konsiderueshme për studentët dhe familjet e tyre.






Comments