top of page

Qira deri në 500 euro, shteti paguan gjysmën! Ja kush përfiton nga skema e re

Sep 24
2 min read

Një program i ri për subvencionimin e qirasë pritet të hapet nga qeveria gjatë muajve nëntor-dhjetor, me 3 mijë përfitues të parashikuar. Skema do të ketë në fokus familjet e reja, por do të përfshijë edhe studentë dhe emigrantë të rikthyer në Shqipëri. Si fillim, ky do të jetë një projekt pilot i shtrirë vetëm në Tiranë gjatë vitit 2027, për t'u zgjeruar më pas edhe në pjesën tjetër të Shqipërisë.


Dardana Grabova, drejtoreshë e Drejtorisë së Strehimit pranë Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit, bëri të ditur se vlera e qirasë së përcaktuar në kuadër të programit do të jetë nga 400 deri në 500 euro, ndërsa gjysmën e kësaj vlere do ta mbulojë buxheti i shtetit. “Do të hapim një program për 3 mijë subvencione për qiranë. Masa e qirasë do të variojë 400-500 euro, 50% e kësaj vlere do të mbulohet nga buxheti i shtetit”, deklaroi Grabova.


Nga ana tjetër, qeveria do të ofrojë edhe një program të ri për kreditë e buta për blerje banese, të ndarë në dy fasha: kredi deri në 60 mijë euro me 0% interes dhe kredi për 60-200 mijë euro me 3% interes. Edhe në këtë skemë, familjet e reja do të jenë ndër kategoritë prioritare në përzgjedhjen e përfituesve. Përveç kriterit të moshës, numri i fëmijëve do të jetë një prej elementeve që do të merret në konsideratë në përcaktimin e prioriteteve.


“Përfitues kryesisht do të jenë familjet e reja, familje e re në kuptim të ligjit të strehimit quhet ajo ku anëtari më i madh është 40 vjeç. Por më pas do të kemi pikëzime me 1, 2, 3 fëmijë apo pikëzime të tjera që bëjnë prioritet për aplikimet për 4 mijë kuota që do të kemi në dispozicion për vitin 2027”, tha Grabova.


Thirrja për aplikime pritet të hapet në nëntor-dhjetor, në varësi të miratimit të ndryshimeve ligjore, ndërsa zbatimi do të shtrihet gjatë 2027.


Comments


Na ndiqni për zhvillimet nga ekonomia në llogaritë:

  • Facebook
  • Instagram
bottom of page