top of page

Qeveria nuk mund të marrë kredi nga BSH, projektligji vendos kufij të rinj

Oct 6
2 min read

Një projektligj i ri i depozituar në Kuvend parashikon kufizime më të qarta për mënyrën se si banka qendrore mund të ndërveprojë financiarisht me qeverinë dhe sektorin publik, ndërsa vendosen edhe rregulla të reja për blerjen e titujve të qeverisë në tregun primar dhe për shkarkimin e anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës. Projektligji, i propozuar nga deputetja e Partisë Socialiste, Milva Ekonomi synon sipas relacionit të përmbushë disa nga kërkesat e procesit të integrimit evropian, në kuadër të Kapitullit 17, “Politika ekonomike dhe monetare”. Në thelb, ndryshimet synojnë të qartësojnë ndarjen mes politikës monetare dhe financimit të drejtpërdrejtë të sektorit publik, si dhe të forcojnë garancitë për pavarësinë e anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës.


Një nga ndryshimet kryesore prek nenin 30 të ligjit aktual. Projektligji përcakton se Banka e Shqipërisë nuk mund t’i japë, drejtpërdrejt ose tërthorazi, kredi apo lehtësi kreditimi qeverisë, institucioneve shtetërore qendrore apo vendore, apo subjekteve të tjera publike. Në këtë ndalim përfshihet edhe gjendja negative e llogarisë, pra overdraft-i, si dhe çdo formë tjetër financimi që do të kishte efekt të ngjashëm. Një përjashtim parashikohet për institucionet e kreditit në pronësi shtetërore që janë të licencuara nga Banka e Shqipërisë. Ato do të trajtohen në të njëjtën mënyrë si institucionet private të kreditit.


Projektligji sqaron gjithashtu se detyrimet që rrjedhin nga kuotat e anëtarësimit të Shqipërisë në institucione financiare ndërkombëtare nuk do të konsiderohen financim monetar. Një tjetër ndryshim lidhet me mënyrën se si BSH mund të blejë tituj të borxhit të emetuar nga subjektet publike. Rregulli i ri parashikon se Banka e Shqipërisë nuk mund t’i blejë këta tituj drejtpërdrejt nga emetuesi në tregun primar.


Megjithatë, projektligji parashikon një përjashtim të kufizuar. BSH mund të blejë tituj të qeverisë në tregun primar vetëm për qëllime të administrimit të strukturës së bilancit të saj dhe për riinvestimin e fondeve që rrjedhin nga maturimi i titujve ekzistues të qeverisë që ajo i mban. Edhe në këtë rast vendosen tre kushte: titujt e rinj duhet të kenë të njëjtin maturitet fillestar me titujt që maturohen, duhet të jenë njoftuar paraprakisht dhe duhet të blihen me çmim tregu.



Comments


Na ndiqni për zhvillimet nga ekonomia në llogaritë:

  • Facebook
  • Instagram
bottom of page