Qeveria njofton skemën e re për pensionistët që punojnë: Do të marrin bonus ose rritje pensioni

Pensionistët që vijojnë të punojnë dhe paguajnë kontribute shoqërore mund të përfitojnë një pagesë shtesë ose rritje të pensionit, pasi qeveria po shqyrton mënyrën se si do të trajtojë kontributet e paguara pas daljes në pension. Lajmi u bë i ditur nga zëvendësministrja e Ekonomisë, Olta Manjani, gjatë diskutimeve në Kuvend, ku u shqyrtua edhe një nismë e opozitës për përjashtimin e pensionistëve të punësuar nga pagesa e sigurimeve shoqërore.
Deputeti i PD-së, Igli Cara, argumentoi se pensionistët që vazhdojnë të punojnë kanë kontribuar tashmë për pensionin e tyre dhe se pagesat e reja nuk u kthehen aktualisht në formën e një përfitimi të drejtpërdrejtë. “Ai e ka kryer detyrimin e tij ka kontribuar gjithë ato vite dhe ka dalë në pension, për këto vite që punon mund të paguaj sigurime 10 milionë euro dhe nuk merr asnjë lekë. Ato paguajnë sigurime përsëri për një skemë që nuk do t’i marrin më, kur do iu rikthehen këto para? A nuk quhet kjo marrje e padrejtë?”, tha Cara. Mazhoranca nuk e mbështeti propozimin për përjashtimin e tyre nga pagesa e sigurimeve. Në vend të kësaj, qeveria thotë se po punon për një mekanizëm të ri që do t’u japë pensionistëve një përfitim nga kontributet e paguara pas daljes në pension.
Zëvendësministrja Manjani bëri të ditur se janë në diskutim dy mundësi. “Nga njëra është rillogaritja e pensionit mbi bazën e kontributeve shtesë, ose dhënia e një pagese për çdo vit sigurimi pas daljes në pension”, tha Manjani. Sipas PD-së, rreth 140 mijë pensionistë janë të punësuar, ndërsa vetëm rreth 13 mijë prej tyre deklarohen dhe paguajnë kontribute.






Comments