top of page

Qeveria kërkon të lehtësojë blerjen e banesave, Financat ngrenë alarmin: Rrezikohet buxheti

Oct 13
2 min read

Ministria e Financave kundërshton përdorimin e garancive shtetërore për kreditë e familjeve që përfitojnë nga programet e strehimit social, duke paralajmëruar se kjo skemë mund të krijojë detyrime të reja për buxhetin dhe të shmangë procedurat ligjore që rregullojnë dhënien e garancive publike. Debati është zhvilluar gjatë shqyrtimit të ndryshimeve të propozuara në ligjin për strehimin social, ndërsa drafti i rishikuar ka reflektuar vetëm pjesërisht vërejtjet e institucionit përgjegjës për financat. Në projektligjin e publikuar për konsultim në korrik 2026, qeveria kishte parashikuar një mekanizëm përmes të cilit shteti do të garantonte një pjesë të principalit të kredive të marra për blerjen e banesave. Synimi ishte të lehtësohej aksesi në financim për individët dhe familjet që plotësojnë kriteret e programeve të strehimit social.


Megjithatë, sipas Ministrisë së Financave, një mekanizëm i tillë nuk mund të krijohet përmes dispozitave të këtij projektligji, pasi garancitë shtetërore të huasë rregullohen nga një kuadër ligjor i posaçëm. Në komentet e dërguara më 20 gusht 2026 përmes sistemit e-Akte, institucioni kërkoi heqjen e plotë të dispozitave që parashikojnë këtë instrument. Financat argumentojnë se përfshirja e garancisë në ligjin e strehimit social do të krijonte një mekanizëm paralel, jashtë procedurave të përcaktuara nga ligji nr. 9665/2006, “Për huamarrjen shtetërore, borxhin shtetëror dhe garancitë shtetërore të huasë”. Sipas këtij kuadri, lëshimi i garancive shtetërore është përgjegjësi e Ministrisë së Financave dhe duhet të shoqërohet me vlerësimin e rrezikut fiskal, ndikimit në borxhin publik dhe aftësisë paguese të përfituesit.


Një tjetër shqetësim lidhet me efektivitetin ekonomik të skemës. Sipas Financave, kredia për blerjen e një banese mund të sigurohet përmes vetë pronës që financohet. Në këto kushte, ndërhyrja e shtetit si garantues mund të mos sjellë një përmirësim të ndjeshëm të aksesit në kredi, por t'u ofrojë bankave një nivel më të lartë sigurie për rikuperimin e detyrimeve. Në rast se huamarrësi nuk shlyen kredinë, aktivizimi i garancisë mund të bëjë që një pjesë e barrës financiare të kalojë te shteti. Përveç ekspozimit të mundshëm të buxhetit ndaj humbjeve, Ministria e Financave vëren se edhe përgjegjësia për ndjekjen e procedurave të rikuperimit të detyrimeve mund të zhvendoset nga institucionet huadhënëse drejt institucioneve shtetërore.


Comments


Na ndiqni për zhvillimet nga ekonomia në llogaritë:

  • Facebook
  • Instagram
bottom of page