Përfundon trajtimi i banesave informale në Selitën e Madhe, ja sa familje përfitojnë nga legalizimet

Ka përfunduar procesi i evidentimit dhe trajtimit të banesave informale në zonën prioritare të Selitës së Madhe. Verifikimet janë kryer derë më derë në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës, ndërsa në terren janë evidentuar gjithsej 733 ndërtesa.
Nga kontrollet e kryera, 364 banorë kanë deklaruar se disponojnë dokumentacion pronësie, ndërsa për një pjesë të familjeve procedurat e legalizimit kanë përfunduar. Sipas të dhënave të publikuara nga ASHK, 41 familje kanë marrë vendim legalizimi, i cili tashmë është regjistruar në regjistrin kadastral. Kjo u mundëson banorëve të vijojnë menjëherë me aplikimin për dokumentet e pronësisë, përfshirë certifikatën, hartën dhe kartelën e pasurisë.
Për 96 familje të tjera, procedura nuk ka përfunduar ende, pasi nevojitet plotësimi i dokumentacionit të kërkuar.
Sipas njoftimit, listat emërore dhe dokumentet që duhet të dorëzojë secili banor janë bërë publike online, në mënyrë që procesi të vijojë me plotësimin e kërkesave të mbetura. Gjatë punës në terren, ekipet nuk kanë mundur të hyjnë në 46 banesa për të kryer verifikimet përkatëse. Për këto raste, procedura do të vijojë sapo banorët të kontaktojnë me Drejtorinë Vendore ASHK Tirana Rurale 1, me qëllim përfundimin e trajtimit të pronave.
Ndërkohë, janë evidentuar edhe 186 banesa të tjera të paaksesueshme, por verifikimi në regjistrin kadastral ka treguar se ato rezultojnë tashmë të pajisura me titull pronësie.






Comments