Punime në mbikalimin e Kasharit, bllokime të përkohshme në autostradën Tiranë–Durrës

Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) ka njoftuar se gjatë netëve të 1, 2 dhe 3 shtatorit 2026 do të ketë kufizime të përkohshme të qarkullimit në autostradën Tiranë–Durrës, për shkak të punimeve që po kryhen në kuadër të projektit “Zgjerimi i Superstradës Tiranë–Durrës (Faza III)”.
Sipas ARRSH-së, në intervalin orar 23:00–05:00 do të realizohet montimi i trarëve metalikë në hapësirën qendrore të mbikalimit të ri të Kasharit, çka do të sjellë bllokim të përkohshëm të korsive të lëvizjes në të dy drejtimet, Tiranë–Durrës dhe Durrës–Tiranë.
Për të garantuar vijimësinë e trafikut, mjetet që lëvizin nga Tirana drejt Durrësit do të devijohen përmes rampës provizore në drejtim të Rinasit dhe më pas në rrugën dytësore, duke u rikthyer në autostradë nëpërmjet rrugës së Rinasit.
Ndërkohë, mjetet e rënda, veçanërisht kamionët, do të devijohen që nga nyja “Casa Italia”, duke përdorur rrugët dytësore.
Për drejtimin Durrës–Tiranë, qarkullimi do të orientohet përmes mbikalimit Kashar–Thumanë dhe rrugëve dytësore, me rikthim në autostradë pas mbikalimit të Kasharit.
ARRSH bën të ditur se mjetet me destinacion Aeroportin e Rinasit, Shkodrën dhe Kosovën do të orientohen që në nyjën e autostradës Kashar–Thumanë, ndërsa gjatë gjithë periudhës së punimeve do të jetë e vendosur sinjalistikë e përkohshme rrugore.
Autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve të planifikojnë paraprakisht itinerarin e tyre dhe të shmangin, sa të jetë e mundur, lëvizjen në këtë segment gjatë orëve të natës, për të shmangur vonesat dhe rëndimin e trafikut.






Comments