Puna në shtet, kontribuesi kryesor në rritjen ekonomike
- Jun 29
- 2 min read

Instituti i Statistikave konfirmon se ekonomia shqiptare ka patur një performancë pozitive në tre mujorin e parë të këtij vitit. Të dhënat flasin se ekonomia u rrit me 3,71% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më pare. Sektori publik është ai që po udhëheq rritjen ekonomike. Treguesit e INSTAT flasin se rritja po mbështetet nga apuna në administratë dhe konsumi privat, ndërsa sektorët prodhues vijojnë të shfaqin dobësi.
Konkretisht kontributin më të madh në zgjerimin e Prodhimit të Brendshëm Bruto e dha grupi i aktiviteteve që përfshin administratën publike, arsimin dhe shëndetësinë, me 1,68 pikë përqindje të rritjes totale. Në të njëjtën kohë, aktivitetet e pasurive të paluajtshme, ndërtimi dhe shërbimet profesionale e administrative dhanë gjithashtu ndikim pozitiv në performancën e ekonomisë. Kjo tendecë e tregut të ndërtimit vijon që prej periudhës së post pandemisë.

Në krahun tjetër, industria dhe bujqësia vijojnë të mbeten nën presion. Industria, energjia dhe furnizimi me ujë u tkurrën me 2,17%, ndërsa bujqësia, pyjet dhe peshkimi shënuan një rënie prej 0,49%, duke dhënë një kontribut negativ në rritjen ekonomike të tremujorit të parë.
Sipas analizës së INSTAT sipas metodës së shpenzimeve, ekonomia u mbështet edhe nga rritja e konsumit final të popullatës dhe investimeve, që u zgjeruan me nga 3,94%. Ndërkohë, eksportet u rritën me 9,36%, ritëm më i lartë se importet, të cilat shënuan një rritje prej 7,39%.
Instituti i Statistikave rishikoi gjithashtu me ulje normën e rritjes ekonomike për tremujorin e parë të vitit 2025, nga 3,83% në 3,53%, një ndryshim metodologjik që ndikoi në bazën e krahasimit me rezultatet e këtij viti. Të dhënat konfirmojnë se ekonomia shqiptare vazhdon të rritet, por me një mbështetje të fortë nga sektori publik, ndërsa sfidat në bujqësi dhe industri mbeten të pranishme.






Comments