Protestat godasin bankat dhe ATM-të, shoqata: Mbroni sistemin financiar

Shoqata Shqiptare e Bankave (AAB) ka bërë të ditur se disa degë bankare dhe ATM janë dëmtuar gjatë protestave të ditëve të fundit, duke sjellë kufizime të përkohshme në ofrimin e shërbimeve bankare.
Për shkak të situatës në terren dhe për të garantuar sigurinë e klientëve dhe punonjësve, një pjesë e bankave kanë operuar me numër të reduktuar degësh ose me orar të kufizuar. Në disa raste, kjo ka sjellë vështirësi dhe vonesa në shërbimin ndaj klientëve. AAB u bën thirrje qytetarëve që, përpara se të paraqiten në degët bankare, të konsultojnë njoftimet zyrtare të bankave përkatëse. Gjithashtu, klientët inkurajohen të përdorin kanalet digjitale për pagesa, transferta dhe transaksione të tjera që mund të kryhen në distancë.
Shoqata thekson se dëmet e evidentuara janë materiale dhe se dëmtimi i ambienteve fizike apo pajisjeve bankare nuk cenon, në vetvete, depozitat e klientëve dhe funksionimin e sektorit bankar.
Në deklaratë, AAB nënvizon rëndësinë e sistemit bankar si një infrastrukturë thelbësore për qytetarët, bizneset dhe ekonominë shqiptare, përmes kreditimit, lehtësimit të pagesave, punësimit dhe kontributit në buxhetin e shtetit.
Në përfundim, Shoqata Shqiptare e Bankave u bën apel qytetarëve që të mos sulmojnë degët bankare dhe objektet e tjera financiare, duke theksuar se mbrojtja e sistemit bankar dhe financiar është një përgjegjësi e përbashkët. Bankat mbeten të angazhuara për rikthimin sa më të shpejtë të shërbimeve normale, në varësi të kushteve të sigurisë.






Comments