Protesta paralizon autobusët në Tiranë, disa linja ndërpresin shërbimin

Transporti urban në Tiranë është përballur me ndërprerje të shërbimit për shkak të protestës dhe bllokimit të rrugëve. Autobusët e kanë të pamundur të qarkullojnë normalisht, duke vështirësuar lëvizjen e qytetarëve në kryeqytet.
Disa operatorë kanë vendosur të pezullojnë punën për ditën e sotme. Mes tyre është edhe linja Yzberisht–Astir, autobusët e të cilës janë kthyer në park, duke ndërprerë përkohësisht shërbimin për pasagjerët. Sipas operatorëve të transportit urban, vendimi për pezullimin e punës nuk lidhet vetëm me bllokimin e rrugëve, por edhe me sulmet ndaj autobusëve gjatë protestave.
Nga një bilanc paraprak i dy ditëve të protestës, raportohet se janë dëmtuar rreth 30 autobusë, 10 prej të cilëve kanë xhama të thyer.
Situata ka ndikuar drejtpërdrejt në funksionimin e transportit publik, ndërsa qytetarët përballen me vështirësi në lëvizje dhe me pasiguri për vijimin e shërbimit në linjat urbane të kryeqytetit.






Comments