top of page

Policia jep alarmin: Kujdes! Një klikim mund t'ju boshatisë llogarinë bankare

2 hours ago
1 min read

Policia e Shtetit ka publikuar një paralajmërim për qytetarët lidhur me një skemë mashtrimi që po kryhet përmes mesazheve telefonike, të cilat dërgohen në emër të institucioneve të ndryshme bankare. Përmes tyre, qytetarët orientohen drejt faqeve të falsifikuara, me qëllim përvetësimin e të dhënave personale dhe bankare, si dhe vjedhjen e parave nga llogaritë e tyre.


Sipas Policisë, nga rastet e evidentuara rezulton se qytetarët marrin SMS nga numra të ndryshëm telefoni, ku autorët prezantohen në mënyrë të rreme si institucione bankare. Mesazhet përmbajnë lidhje elektronike (link), të cilat i drejtojnë përdoruesit drejt faqeve të falsifikuara, të krijuara për të përvetësuar të dhënat e tyre.

Një nga mënyrat e përdorura nga mashtruesit është krijimi i një ndjesie urgjence, duke u kërkuar qytetarëve të kryejnë verifikimin e identitetit brenda një afati të shkurtër, zakonisht 24 ose 31 orë. Përmes këtij presioni, synohet që qytetarët të veprojnë pa verifikuar më parë nëse mesazhi është i vërtetë.


Policia u bën thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal dhe të mos klikojnë në lidhje elektronike që përmbajnë SMS të tilla, pavarësisht nëse përmbajtja e mesazhit paraqitet në emër të një banke të njohur.

Gjithashtu, qytetarët këshillohen të mos ndajnë të dhënat e kartave bankare, PIN-et apo kodet e verifikimit dhe të kontrollojnë çdo njoftim vetëm përmes kanaleve zyrtare të bankës së tyre. Në rast se kanë ndarë të dhënat personale ose bankare në faqe të dyshimta, qytetarët duhet të kontaktojnë menjëherë bankën për bllokimin e kartës ose të llogarisë dhe të raportojnë rastin në Polici.


Comments


Na ndiqni për zhvillimet nga ekonomia në llogaritë:

  • Facebook
  • Instagram
bottom of page