top of page

Po vjen një tjetër taksë mbi naftën

  • Jul 31
  • 2 min read

Updated: Aug 2


Një tjetër kosto do ti shtohet çmimit final të karburantit që tregtohet në vënd. I gjithë zinxhiri  nga prodhuesit, importuesit dhe tregtarët e karburantit do të paguajnë një tarfi kombëtare  për shenjimin dhe monitorimin e naftës dhe benzinës. Tarifa do të jetë 6.5 euro për çdo 1 mijë litra naftë ose benzinë që tregtohet në vend. I gjithë procesi do të menaxhohet nga shoqëria “ALBTrace CO”, e cila do të kryejë procesin e shënjimit dhe do të lëshojë certifikatën përkatëse të gjurmueshmërisë. Më herët ky proces kryhej me koncesion, çka praktikisht kemi të bëjmë me një rikthim të koncesionit të markimit.

Sipas projektvendimit të Këshillit të Ministrave, detyrimi prek të gjitha subjektet që importojnë, prodhojnë, rafinojnë, magazinojnë, transportojnë, shpërndajnë ose tregtojnë karburante dhe që paguajnë detyrimet fiskale për këto produkte. Për çdo ngarkesë karburanti, subjektet duhet të plotësojnë një formular vetëdeklarimi me të dhënat teknike të autobotit dhe sasitë sipas kompartimenteve të autocisternës. Përgjegjësia për saktësinë e deklarimit mbetet tek vetë subjekti. Pas përfundimit të procesit të shënjimit, “ALBTrace CO” do të lëshojë “Certifikatën e shënjimit të karburantit”, e cila do të shërbejë si provë zyrtare për kryerjen e procesit, identifikimin e llojit dhe sasisë së karburantit, si edhe për gjurmueshmërinë e tij përgjatë gjithë zinxhirit të furnizimit përmes Sistemit të Integritetit të Karburanteve ALBTrace.

Projektvendimi ndalon tregtimin, importimin, transportimin apo magazinimin e karburanteve që nuk përmbajnë shënjuesin zyrtar. Po ashtu ndalohet çdo ndërhyrje në pajisjet ose teknologjinë e përdorur për procesin e shënjimit dhe monitorimit. Mbikëqyrja do të kryhet nga Administrata Doganore, e cila do të përdorë laboratorë të lëvizshëm, analiza në terren dhe sisteme monitorimi për të verifikuar përputhshmërinë e karburanteve me kërkesat ligjore. Subjektet dhe pikat e shitjes së karburanteve do të kenë detyrimin të deklarojnë inventarin ekzistues të produkteve të naftës brenda 30 ditëve nga fillimi i zbatimit të regjimit të ri. Sistemi i shënjimit dhe monitorimit do të hyjë në fuqi pas një periudhe implementimi deri në 6 muaj nga hyrja në fuqi e vendimit.

Comments


Informohuni për zhvillimet nga ekonomia.

  • Instagram
  • Facebook

© 2026 

bottom of page