Pensioni i pleqërisë, ja hapat që duhet të ndiqni. Detaji që shumë e harrojnë

Qytetarët që kanë arritur moshën dhe plotësojnë kushtet e përcaktuara për përfitimin e pensionit të pleqërisë mund të paraqesin kërkesën për pension përmes e-Albania, pa qenë e nevojshme që aplikimi të nisë fizikisht pranë zyrave të sigurimeve shoqërore. Procesi kërkon plotësimin e të dhënave personale, zgjedhjen e llojit të pensionit dhe deklarimin e periudhave të punësimit dhe të dhënave të tjera që lidhen me sigurimet.
Për të nisur procedurën, qytetari duhet të:
1. Hyjë në portalin e-Albania duke zgjedhur profilin “Qytetar”.
2. Vendosë NID-in dhe kodin e përhershëm.
3. Të fusë kodin e përkohshëm që dërgohet në telefon.
4. Të klikojë “Hyr”.
5. Të kërkojë shërbimin “Aplikim për pension pleqërie, suplementar pilot, suplementar lundrues i nëndetëseve apo suplementar për akademik”.
6. Të zgjedhë “Përdor”.
7. Të plotësojë të dhënat personale në seksionin përkatës.
8. Të përcaktojë llojin e pensionit që kërkon, duke zgjedhur pensionin e pleqërisë.
9. Të plotësojë formularin elektronik me informacionin për periudhat e punësimit dhe të dhënat financiare.
10. Në fund, të klikojë “Dërgo” për të paraqitur kërkesën.
Nëse qytetari disponon dokumente origjinale që mbështesin kërkesën për pension, ato mund të bashkëngjiten gjatë aplikimit. Dokumentet mund të përcillen edhe përmes shërbimit postar pranë Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore që mbulon vendbanimin e aplikantit. Një detaj i rëndësishëm është se zarfi me dokumentet duhet të shoqërohet me numrin e aplikimit, në mënyrë që dokumentacioni të lidhet me kërkesën e paraqitur online.
Formulari elektronik përmban edhe rubrikën “Shënime”. Në këtë pjesë, aplikanti mund të vendosë informacione shtesë që i konsideron të rëndësishme për shqyrtimin e kërkesës së tij për pension.
Përpara dërgimit të aplikimit, qytetarët duhet të kontrollojnë me kujdes të dhënat e vendosura në formular dhe dokumentet që po paraqesin. Të dhënat mbi periudhat e punësimit dhe sigurimet janë veçanërisht të rëndësishme për shqyrtimin e kërkesës.






Comments