Pas kaosit në transport, qeveria ndërhyn me subvencion 3-mujor

Një ditë pas kaosit të krijuar në transportin urban të Tiranës, pas reduktimit me deri në 30% të numrit të autobusëve, qeveria ka vendosur të ndërhyjë me një masë të përkohshme financiare.
Shoqata e Transportit Urban ka marrë njoftim nga Ministria e Infrastrukturës dhe Ministria e Ekonomisë se operatorët do të përfitojnë subvencion për një periudhë tre mujore.
Vendimi pritet të sjellë rikthimin e autobusëve të reduktuar dhe funksionimin e transportit urban me kapacitet të plotë. Reduktimi i flotës shkaktoi të martën vështirësi të mëdha për qytetarët, me pritje të gjata në stacione dhe autobusë të tejmbushur në disa prej linjave kryesore të kryeqytetit.
Operatorët e transportit e lidhën reduktimin e flotës me rritjen e kostove të operimit, veçanërisht çmimin e karburantit, duke argumentuar se të ardhurat aktuale nuk mjaftojnë për të përballuar shpenzimet.
Më herët, gjatë periudhës mars-maj, operatorët kishin përfituar subvencion prej 50 lekësh për litër karburant. Pas përfundimit të kësaj skeme, ata paralajmëruan se kostot e larta mund të detyronin reduktimin e shërbimit.
Me subvencionin e ri tre-mujor, situata pritet të stabilizohet përkohësisht, ndërsa mbetet për t’u parë nëse pas përfundimit të kësaj periudhe do të nevojitet një tjetër ndërhyrje financiare nga shteti.






Comments