Parkimi i gabuar, shkelja nr. 1 në Shqipëri! Më pak aksidente, por më shumë viktima në rrugë

Parkimi i gabuar dhe qëndrimi në vende të ndaluara vijojnë të jenë shkeljet më të shpeshta të drejtuesve të automjeteve në Shqipëri. Të dhënat e Institutit të Statistikave (INSTAT) tregojnë se në vitin 2025, 34% e masave administrative të vendosura për kundërvajtje rrugore lidhen me këtë kategori shkeljesh, nga 31,1% në vitin 2024 dhe 30% në vitin 2023. Në total, masat administrative për shkeljet rrugore u rritën me 2,2% krahasuar me një vit më parë, ndërsa shkeljet e lidhura me parkimin dhe qëndrimin e ndaluar vijuan të zënë peshën më të madhe. Në vend të dytë renditet mosrespektimi i normave të shpejtësisë, i cili përbënte 18,9% të masave administrative, nga 25,4% në vitin 2024. Ndërkohë, mosrespektimi i sinjalizimeve rrugore zuri 14,3% të totalit, nga 12,6% një vit më parë. Parakalimet e gabuara përbënin 7,7% të masave administrative, qarkullimi pa rrip sigurimi ose sisteme fiksimi 5,5%, ndërsa përdorimi i telefonit gjatë drejtimit të automjetit zinte 3,4%.
Më pak aksidente, por rriten viktimat
Pavarësisht rritjes së masave administrative, numri i aksidenteve rrugore në vend shënoi rënie gjatë vitit 2025. Sipas INSTAT, u regjistruan 1.375 aksidente, nga 1.666 në vitin 2024, duke shënuar një ulje prej 17,5%. Megjithatë, bilanci i viktimave mbetet shqetësues. Numri i personave që humbën jetën në aksidente rrugore u rrit me 14,3%, ndërsa treguesi i vdekshmërisë arriti në 14,5 viktima për çdo 100 aksidente, nga 10,5 në vitin 2024. Në total, 1.913 persona mbetën të vrarë ose të plagosur në aksidente rrugore gjatë vitit 2025, kundrejt 2.255 personave një vit më parë. Të dhënat tregojnë se sjellja e drejtuesve të mjeteve ishte shkaku i 87,9% të aksidenteve, ndërsa sjellja e këmbësorëve përbënte 12,1% të rasteve. Përvoja në drejtimin e automjetit nuk rezulton të jetë garanci për shmangien e aksidenteve. Sipas INSTAT, drejtuesit me mbi nëntë vite eksperiencë shkaktuan 49,2% të aksidenteve, ndërsa ata me deri në tre vite eksperiencë përbënin 16,3%. Grupmosha 25-34 vjeç regjistroi numrin më të lartë të aksidenteve të shkaktuara nga drejtuesit e mjeteve, me 331 raste, ose 24,1% të totalit. Për sa u përket qarqeve, Tirana mbajti vendin e parë me 447 aksidente, ose 32,5% të totalit kombëtar. Megjithatë, numri i tyre ra nga 552 në vitin 2024. Lezha renditej e dyta me 169 aksidente, e ndjekur nga Korça me 134 dhe Fieri me 117 raste. Një nga ndryshimet më të dukshme u regjistrua në Korçë, ku aksidentet u rritën nga 60 në vitin 2024 në 134 gjatë vitit 2025. Në të kundërt, Durrësi shënoi rënie të ndjeshme, nga 172 në 91 aksidente. Sipas kategorisë së rrugëve, 28,3% e aksidenteve ndodhën në rrugët interurbane dytësore, ndërsa 23,2% në rrugët urbane dytësore. Rreth 88,1% e aksidenteve u regjistruan në kushte moti të thatë, çka tregon se kushtet atmosferike nuk ishin të pafavorshme në shumicën e rasteve. E hëna rezultoi dita me numrin më të lartë të aksidenteve, me 231 raste, ndërsa intervali kohor 08:00-12:00 përqendroi 21,7% të tyre. Në të njëjtën kohë, raporti i aksidenteve për 1.000 mjete në qarkullim ra në 1,3 në vitin 2025, nga 1,7 një vit më parë. Të dhënat e INSTAT paraqesin kështu një tablo me dy kahe: nga njëra anë, më pak aksidente dhe një raport më të ulët aksidentesh për numrin e mjeteve në qarkullim; nga ana tjetër, më shumë viktima në raport me vitin e mëparshëm. Kjo e bën sigurinë rrugore një sfidë që nuk matet vetëm me numrin e aksidenteve, por edhe me pasojat e tyre.






Comments