top of page

Pagat duhet të publikohen në çdo vend pune, rregulla të reja për kompanitë

  • Aug 7
  • 1 min read

Punëdhënësit në Shqipëri do të detyrohen të publikojnë intervalin e pagës për çdo vend të lirë pune, ndërsa kompanitë me të paktën 125 punonjës do të përballen me kuota për punësimin e personave nga grupe të veçanta. Ndryshimet parashikohen në një projektligj të Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit, i cili është hedhur për konsultim publik. Projektligji ndryshon ligjin nr. 15/2019 “Për nxitjen e punësimit” dhe zgjeron detyrimet e punëdhënësve për deklarimin e vendeve të lira të punës dhe të marrëdhënieve të punës. Intervali i pagës bëhet i detyrueshëm. Një nga risitë kryesore është transparenca e pagës që në fazën e rekrutimit. Sipas projektligjit, çdo punëdhënës duhet të deklarojë vendet e lira të paguara pranë strukturave përgjegjëse të punësimit. Në çdo shpallje për një vend të lirë pune, punëdhënësi duhet të bëjë publike intervalin e pagës për pozicionin e ofruar. Sipas relacionit të Ministrisë, kjo kërkesë parashikohet për herë të parë dhe synon të rrisë transparencën në tregun e punës, duke u dhënë punëkërkuesve më shumë informacion përpara se të aplikojnë për një pozicion. Kompanitë do të raportojnë më shumë të dhëna. Projektligji parashikon gjithashtu zgjerimin e informacionit që kompanitë duhet të deklarojnë pranë institucioneve. Punëdhënësit do të duhet të deklarojnë dhe përditësojnë të dhënat që lidhen me marrëdhënien e punës së punonjësve. Në rast largimi nga puna, punëdhënësi do të duhet të deklarojë largimin, ndërsa të dhënat përkatëse, përfshirë arsyen dhe kontaktin e punonjësit, do t’i përcillen automatikisht institucionit përgjegjës për punësimin. Qëllimi është që shërbimet e punësimit të kenë mundësi të ndërhyjnë më shpejt për personat që humbasin vendin e punës, përmes këshillimit, orientimit profesional, ndërmjetësimit apo programeve aktive të tregut të punës.

Comments


Informohuni për zhvillimet nga ekonomia.

  • Instagram
  • Facebook

© 2026 

bottom of page