top of page

Paga mesatare rritet, por hendeku mbetet i madh, sa punonjës janë në minimum?

Sep 10
2 min read

Paga mesatare mujore bruto në Shqipëri ka vijuar rritjen gjatë vitit 2026. Në tremujorin e dytë, ajo arriti në 92.150 lekë, duke u rritur me 9,8% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Por, pavarësisht rritjes së pagës mesatare, shpërndarja e të ardhurave tregon se një pjesë e konsiderueshme e të punësuarve vijon të paguhet në nivelet më të ulëta. Sipas të dhënave, 25,8% e të punësuarve me pagë marrin pagën minimale, ndërsa 17,1% e tyre kanë një pagë mbi 120 mijë lekë. Ndërkohë, krahasuar me tremujorin e parë të vitit është rritur numri i të punësuarve në kategoritë e pagave të mesme dhe të larta, me grupin 60.001–120.000 lekë që zë peshën më të madhe. Diferencat mes sektorëve vijojnë të jenë të ndjeshme. Pagat më të larta regjistrohen në aktivitetet financiare dhe të sigurimit, ku mesatarja arrin në 187.267 lekë. Në vend të dytë renditet informacioni dhe komunikacioni, me 143.528 lekë. Rritjen më të madhe vjetore të pagës mesatare e ka shënuar ndërtimi, me 22,1%. Ndërsa rritja më e ulët është regjistruar në sektorin e arteve, argëtimit, çlodhjes dhe aktiviteteve të tjera të shërbimit, me 6,4%. Edhe sipas profesioneve diferencat janë të mëdha. Menaxherët, ligjvënësit dhe drejtorët ekzekutivë kryesojnë me një pagë mesatare prej 141.168 lekësh, të ndjekur nga specialistët me arsim të lartë, me 119.152 lekë. Ndërkohë, rritjen më të fortë të pagave e kanë përjetuar zejtarët, artizanët dhe profesionet e lidhura me to, me 16%, ndërsa pagat e punëtorëve në profesionet elementare janë rritur me 15,1%. Të dhënat tregojnë kështu një rritje të përgjithshme të pagave, por njëkohësisht edhe një hendek të ndjeshëm mes niveleve të të ardhurave, me më shumë se një të katërtën e të punësuarve që vijojnë të jenë në nivelin e pagës minimale.

Comments


Na ndiqni për zhvillimet nga ekonomia në llogaritë:

  • Facebook
  • Instagram
bottom of page