Pa dokument pronësie? Ja si mund të merrni certifikatën për shtëpinë dhe truallin

Qytetarët që kanë ndërtuar objekte pa leje ose kanë në përdorim troje për të cilat nuk disponojnë dokument pronësie do të kenë mundësi të përfundojnë procedurat për pajisjen me dokumentin e pronësisë. Vendimi i fundit i qeverisë përcakton procedurat që do të ndiqen për këto pasuri, ndërsa përgjegjësia për evidentimin dhe trajtimin e tyre i është ngarkuar Agjencisë Shtetërore të Kadastrës. Institucioni do të përcaktojë blloqet kadastrale ku do të zhvillohen procedurat për objektet pa titull pronësie, trojet funksionale dhe oborret në përdorim. Procesi mund të nisë nga vetë qytetari. Në këtë rast, kërkesa duhet të dorëzohet online përmes portalit “e-Albania”, ndërsa aplikuesi duhet të paguajë tarifën për shërbimin administrativ. Procedura mund të nisë gjithashtu nga vetë ASHK-ja. Kjo ndodh gjatë proceseve të regjistrimit fillestar, përmirësimit të zonës kadastrale ose pas verifikimeve në terren që kryhen në blloqet kadastrale të përcaktuara në planin përkatës.
Gjatë verifikimit në terren, ASHK-ja i jep subjektit mundësinë të plotësojë formularin ku deklarohen të dhënat përkatëse të pasurisë. Për qytetarët që e nisin vetë procedurën, tarifa e shërbimit është 10 mijë lekë. Pagesa bëhet në momentin e paraqitjes së kërkesës për kalimin e pronësisë dhe nuk rimbursohet edhe nëse kërkesa më pas refuzohet nga ASHK-ja. Në rastet kur procedura nis nga vetë ASHK-ja, tarifa standarde e shërbimit nuk aplikohet për objektet me funksion banimi. Një nga elementet kryesore të vendimit lidhet me sipërfaqen e truallit që mund të përfitohet. Drejtoria vendore e ASHK-së mund të miratojë kalimin e pronësisë për sipërfaqen funksionale deri në 300 metra katrorë. Kjo përfshin sipërfaqen ku ndodhet ndërtesa dhe hapësirën përreth saj, me kusht që ajo të jetë në posedim efektiv të subjektit.
Posedimi duhet të jetë i evidentueshëm në terren, ndër të tjera përmes rrethimit të sipërfaqes gjatë verifikimit. Nëse qytetari disponon dokumentacion pronësie për truallin dhe ky dokument është i regjistruar ose mund të regjistrohet, procedurat për miratimin e pronësisë do të kryhen vetëm për ndërtesën. Për truallin funksional deri në 300 metra katrorë, pajisja me certifikatë pronësie mund të bëhet pa pagesë kur toka është në pronësi shtetërore, kur figuron me pronar të pavërtetuar ose kur nuk ka informacion për pronësinë. Kjo vlen edhe në rastet kur në këtë sipërfaqe ndodhen ndërtime pa leje që lidhen me subjektin. Ndryshe është situata kur trualli funksional rezulton në pronësi private të personave të tretë. Në këto raste, dokumenti i pronësisë mund të miratohet për sipërfaqe deri në 300 metra katrorë, por subjekti përfitues duhet të paguajë vlerën e truallit. Çmimi i truallit në këto raste llogaritet sipas çmimit favorizues dhe me lehtësitë e pagesës të parashikuara në ligjin nr. 20/2020, “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë”.
Vendimi parashikon edhe raste kur trualli funksional shtrihet pjesërisht në pronë shtetërore dhe pjesërisht në pronë private. Në një situatë të tillë, drejtoria vendore e ASHK-së mund të miratojë dokumentin e pronësisë edhe për një sipërfaqe më të vogël se 300 metra katrorë, pavarësisht posedimit efektiv në terren. Kjo bëhet me kusht që të mos cenohet pronësia private e personave të tretë, kur ndarja e sipërfaqeve është fizikisht e mundur në terren.






Comments