OTP Group në top 10 bankat më të mira në botë sipas Forbes

Grupi bankar OTP është renditur ndër bankat me performancën më të mirë në botë, duke u pozicionuar në vendin e 10-të në nivel global në kategorinë e bankave të mëdha, sipas klasifikimit “World’s Top Performing Banks 2026” të Forbes. Renditja, e hartuar nga Forbes në bashkëpunim me Statista, vlerëson bankat mbi bazën e treguesve objektivë të performancës financiare. Në fokus janë rritja e qëndrueshme, përfitueshmëria, pozicioni i kapitalit dhe financimit, si dhe cilësia e aktiveve në një periudhë shumëvjeçare.
Sipas drejtuesit të OTP Bank, Péter Csányi, ky vlerësim pasqyron strategjinë afatgjatë të grupit, e cila ka kombinuar rritjen organike, blerjet e suksesshme dhe një model të disiplinuar operimi.
“Ajo që e bën këtë vlerësim veçanërisht të rëndësishëm është fakti se ai njeh aftësinë tonë për të kombinuar rritjen e shpejtë, përfitueshmërinë e jashtëzakonshme dhe qëndrueshmërinë afatgjatë”, u shpreh Csányi.
Ky është një tjetër vlerësim ndërkombëtar për performancën e OTP Group. Gjatë këtij viti, grupi është përfshirë edhe mes 400 kompanive më të mëdha në botë në renditjen Forbes Global 2000. Ndërkohë, në renditjen më të fundit të performancës së bankave evropiane nga S&P Global Market Intelligence, OTP Group u pozicionua mes dy bankave me performancën më të mirë në Evropë, për të tretin vit radhazi. OTP Group ka rreth 41 mijë punonjës në 11 vende të Evropës Qendrore, Lindore dhe Azisë Qendrore dhe u shërben rreth 17.5 milionë klientëve. Grupi ka realizuar 25 blerje bankash që nga fillimi i viteve 2000 dhe e ka selinë në Hungari.






Comments