top of page

Nisma "KURSE"/ Ja sa do të kushtojnë për 3 muaj veza, qumështi, vaji, makaronat e orizi

Oct 13
2 min read

Nisma "KURSE", e prezantuar si një mekanizëm për të lehtësuar shpenzimet e përditshme të familjeve shqiptare, ka hyrë në fuqi më 12 tetor dhe do të zbatohet deri më 12 janar 2027. Sipas të dhënave të publikuara në platformën zyrtare, lista përfshin 212 produkte në katër rrjete tregtare, me një ulje mesatare prej 13.3% dhe zbritje që arrijnë deri në 40%. Megjithatë, shifrat tregojnë se përfitimi për konsumatorin ndryshon ndjeshëm në varësi të produktit. Një ulje prej 40% mund të duket e konsiderueshme, por në rastin e kripës, çmimi zbret nga 25 në 15 lekë, duke kursyer 10 lekë. E njëjta përqindje uljeje shfaqet edhe te vezët e bardha, çmimi i të cilave bie nga 25 në 15 lekë për kokërr.


Kursimet në vlerë absolute janë më të mëdha te disa produkte të tjera. Në listën e publikuar, qumështi me yndyrë 1.6%, në paketim 1.5 litra, shënohet me çmim të reduktuar nga 295 në 220 lekë, ose 75 lekë më pak. Orizi, në paketim një kilogram, zbret nga 230 në 170 lekë, duke kursyer 60 lekë, ndërsa thjerrëzat jeshile në paketim 500 gramë, kushtojnë 135 lekë nga 180 lekë më parë. Një tjetër ulje e dukshme është ajo për shampon, në paketim 675 mililitra, i cili shitet me 290 lekë nga 399 lekë, duke sjellë një kursim prej 109 lekësh.


Nisma “Kurse” e qeverisë synon të lehtësojë shpenzimet e familjeve përmes ofrimit të produkteve të përditshme me çmime më të ulëta. Lista përfshin artikuj ushqimorë dhe produkte higjiene, ku në disa raste uljet janë të ndjeshme, ndërsa në të tjera diferenca është më e vogël.


Në listë përfshihen edhe produktet e tjera të konsumit të përditshëm. Uji me dy litra kushton 50 lekë, nga 60 lekë, djathi i deles 915 lekë, nga 1.099 lekë, ndërsa detergjenti për rrobat 570 lekë, nga 699 lekë. Për pelena, çmimi është ulur nga 1.699 në 1.570 lekë.


Ndërkohë, sheqeri kushton 70 lekë, nga 75 lekë, vaji i lulediellit 195 lekë, nga 205 lekë, dhe vaji i ullirit për sallatë 370 lekë, nga 390 lekë.


Pra, lista e nismës “Kurse” paraqet ulje në pjesën më të madhe të produkteve të përfshira, por edhe disa përjashtime. Për të kuptuar se sa ndihmon realisht kjo nismë buxhetin familjar, rëndësi ka jo vetëm çmimi i secilit produkt, por edhe sasia që familjet blejnë dhe shpeshtësia e konsumit të tyre.


Analiza e kategorive të publikuara nxjerr në pah një tjetër element: pjesa më e madhe e produkteve të përfshira në nismë nuk janë ushqime të freskëta. Nga totali i artikujve,156 i përkasin higjienës dhe pastrimit, ndërsa 53 janë produkte buke dhe drithërash, 33 produkte të tjera ushqimore dhe 27 produkte të kategorisë qumësht, djathë dhe vezë. Në listë janë përfshirë gjithashtu 20 produkte për fëmijë, 13 produkte të kategorisë yndyrna, 11 produkte bishtajore, pesë produkte mishi dhe peshku, katër pije joalkoolike, dy produkte frutash dhe vetëm një produkt në kategorinë e perimeve.




Comments


Na ndiqni për zhvillimet nga ekonomia në llogaritë:

  • Facebook
  • Instagram
bottom of page