top of page

Nisin punimet për bypassin e Elbasanit, do të shfryjë trafikun drejt juglindjes

Sep 15
2 min read

Kanë nisur punimet për bypassin e Elbasanit, një projekt që synon të lehtësojë trafikun në aksin Tiranë-Elbasan dhe të përmirësojë lidhjen e këtij korridori me juglindjen dhe jugun e vendit.


Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, ka bërë të ditur se punimet kanë nisur në pjesën ku fillon hinka e autostradës Tiranë-Elbasan. Sipas tij, bypassi do të ndërtohet si autostradë e kategorisë A, me të njëjtat standarde që karakterizojnë aktualisht rrugën Tiranë-Elbasan.


“Do të jetë autostradë e kategorisë A, sipas të njëjtave standardeve që është aktualisht sot rruga Tiranë-Elbasan”, deklaroi Karakaçi. Sipas ministrit, projekti pritet t’i japë një zgjidhje trafikut të rënduar gjatë viteve të fundit, veçanërisht në periudhat e sezonit turistik, kur fluksi i automjeteve në këtë zonë rritet ndjeshëm.


Karakaçi bëri të ditur se dy kontratat për realizimin e projektit janë lidhur tashmë nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, ndërsa punimet për segmentin e parë kanë nisur. Ky segment fillon në pikën ku përfundon rruga Tiranë-Elbasan dhe në fazën e parë do të shtrihet për rreth 3 kilometra, deri në zonën pranë Kombinatit Metalurgjik të Elbasanit. “Punimet janë duke ecur mirë për shkak se edhe kantieri është i hapur nga shpronësimet e bëra që më herët”, u shpreh ministri.


Ndërkohë, projekti do të vijojë me pjesën tjetër të aksit, e cila do të shtrihet në drejtim të Peqinit. Sipas Karakaçit, kjo pjesë pritet të jetë pjesë e procedurave të prokurimit gjatë vitit të ardhshëm. Ministri theksoi rëndësinë strategjike të bypassit për organizimin e trafikut në vend, duke e konsideruar atë si vazhdim të autostradës Tiranë-Elbasan dhe si një nyje të rëndësishme për lidhjen me korridorin Elbasan-Qafë Thanë.


“Bëjmë ndarjen e trafikut ndërmjet pjesës juglindore të Shqipërisë dhe pjesës jugore të Shqipërisë, por po ashtu bëjmë ndërlidhjen ndërmjet autostradës Tiranë-Elbasan, bypassit të Elbasanit, si dhe dalim në vazhdimin e korridorit Elbasan-Qafë Thanë”, deklaroi Karakaçi.


Sipas tij, përmes këtij investimi synohet të krijohet një zgjidhje më e integruar për qarkullimin rrugor, duke ulur ngarkesën e trafikut dhe duke përmirësuar lidhjet mes disa prej akseve kryesore të transportit në vend.



Comments


Na ndiqni për zhvillimet nga ekonomia në llogaritë:

  • Facebook
  • Instagram
bottom of page