Nisin fluturimet direkte Tiranë–Toronto, në pritje me SHBA-në
- Jun 22
- 2 min read

Shqipëria dhe Kanadaja nga muaji Qershor lidhen me një fluturim direkt, pas inaugurimit të linjës Tiranë–Toronto në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza”. Kryeministri Edi Rama e cilësoi këtë një zhvillim të rëndësishëm për afrimin e komuniteteve, biznesit dhe turizmit mes dy vendeve, ndërsa njoftoi se objektivi i radhës është hapja e fluturimeve direkte me Shtetet e Bashkuara.
Gjatë ceremonisë, Rama theksoi rritjen e ndjeshme të trafikut ajror në Shqipëri, nga 2.2 milionë pasagjerë në vitin 2016 në 13.7 milionë në vitin 2025, si dhe planet për dixhitalizimin e mëtejshëm të aeroportit përmes portave inteligjente për qytetarët me pasaportë biometrike.
“Në vitin 2016 kishte 22 mijë fluturime në vit për 2.2 milionë pasagjerë. Më pak se 10 vjet më vonë, numri i pasagjerëve arriti në 13.7 milionë dhe numri i fluturimeve në 82 mijë. Ne mendojmë që do të kalojë 100.000 në fund të kësaj dekade. Rinasi është ndër të parët që ka hedhur hapin e kalimit të dixhitalizuar të Check-in. Së shpejti, do të hapim këtu një kapitull të ri të transformimit dixhital të aeroportit dhe modernizimit të tij, portat dixhitale, të cilat do të jenë porta ku do të hyhet pa asnjë lloj kontrolli nëse je shqiptar dhe ke një pasaportë biometrike. Kjo do të bëjë që për të gjithë pasagjerët shqiptarë që hyjnë në Rinas të hyjnë si në shtëpinë e tyre dhe i gjithë info do të merret përmes inteligjencës artificiale që do të ketë kjo portë. Do të jetë një transformim i jashtëzakonshëm në shumë aspekte" tha Rama
Kryeministri konfirmoi gjithashtu se Aeroporti i Vlorës do të hapet pavarësisht vonesave të shkaktuara nga problemet e brendshme të kompanisë private, ndërsa qeveria po përgatit garën për aeroportin turistik të Gjirokastrës dhe synon zhvillimin e mëtejshëm të aeroportit të Kukësit.
Linja e re do të operohet nga Air Transat dhe do të zgjasë rreth 10 orë, me ndalesë në aeroportin Pearson të Torontos. Qeveria shqiptare ka në plan që të ndërtojë përveç Vlorës edhe një tjetër aeroport në Gjirokastër.






Comments