Nisin aplikimet për kompensimin 10% të TVSH-së për fermerët, përfitojnë 113 mijë
- Jul 1
- 1 min read

Nga sot kanë nisur aplikimet për përfitimin e kompensimit të TVSH-së për fermerët, përmes autofaturave të lëshuara nga grumbulluesit, përpunuesit ose subjektet e certifikuara të agroturizmit. Sipas të dhënave të administratës tatimore, në vend janë 113,470 fermerë të pajisur me NIPT që mund të përfitojnë nga kjo skemë.
Aplikimi kryhet në platformën e-Filing, ku fermerët duhet të zgjedhin kërkesën për rimbursim, të regjistrojnë llogarinë bankare me numrin IBAN dhe të identifikojnë autofaturat e periudhës janar-qershor. Sistemi llogarit automatikisht shumën e përfitimit, e cila është 10% e vlerës së autofaturave të përzgjedhura.
Për të përfituar nga skema, fermerët duhet të jenë të pajisur me NIPT, të mos jenë të regjistruar si subjekte të TVSH-së dhe qarkullimi i tyre vjetor të mos kalojë kufirin prej 10 milionë lekësh. Aplikimi refuzohet nëse mungojnë të dhënat bankare, nuk përzgjidhen faturat, subjekti rezulton pasiv ose kërkesa dorëzohet jashtë afatit.
Skema synon të kompensojë TVSH-në 10% të paguar për inputet bujqësore, si plehrat kimike, farat dhe fidanët, duke ulur kostot e prodhimit dhe duke nxitur formalizimin e transaksioneve në sektorin bujqësor.
TVSH-ja për inputet bujqësore ishte zero nga viti 2019 deri në fund të vitit 2021, ndërsa nga 1 janari 2022 u vendos norma 10%. Megjithatë, përfaqësues të sektorit të blegtorisë kanë ngritur shqetësimin se një pjesë e madhe e shitjeve të qumështit te përpunuesit vijon të kryhet pa autofatura, çka mund të kufizojë përfitimin e fermerëve nga kjo skemë.






Comments