Nis shkolla, prindërit mund të përfitojnë deri në 100 mijë lekë zbritje tatimore

Në ditën e parë të vitit të ri shkollor, kur mijëra familje shqiptare përballen me shpenzimet për arsimimin e fëmijëve, Administrata Tatimore u kujton prindërve një mundësi për lehtësi fiskale. Në një postim në rrjetin social facebook, tatimet rikujtojnë që prindërit apo kujdestarët ligjorë me të ardhura vjetore nën 1.2 milionë lekë mund të përfitojnë zbritje nga baza tatimore për shpenzimet e arsimit të fëmijëve në ngarkim, deri në 100 mijë lekë. Përfitimi realizohet përmes deklarimit të të ardhurave në DIVA, ndërsa kërkesa për rimbursim paraqitet nëpërmjet platformës e-Filing, së bashku me faturat që dokumentojnë shpenzimet për arsimimin e fëmijëve. E drejta e zbritjes i takon vetëm anëtarit të familjes me të ardhurat më të larta vjetore të tatueshme. Sipas të dhënave duhet të disponohen fatura tatimore me vlerë të plotë, kontrata me institucionin arsimor dhe mandate pagesash. Pagesat informale pa faturë përjashtohen nga skema. Në këtë mënyrë, një pjesë e kostove që familjet kanë përballuar për shkollimin mund të merret në konsideratë për zbritje tatimore. Administrata Tatimore u bën thirrje prindërve që të ruajnë faturat e shpenzimeve arsimore, pasi ato janë të nevojshme për të kërkuar përfitimin. Në një kohë kur nisja e shkollës shoqërohet me shpenzime për libra, mjete shkollore dhe nevoja të tjera të fëmijëve, kjo lehtësi fiskale mund të përbëjë një mbështetje për buxhetin familjar.






Comments