Nga emigrantë në sipërmarrës, Si ndryshuan ndër vite shqiptarët në Itali?
- 6 days ago
- 2 min read

Shqiptarët po forcojnë gjithnjë e më shumë pozitat e tyre në ekonominë italiane, duke kaluar gradualisht nga fuqi punëtore në pronarë, administratorë dhe drejtues kompanish. Një raport mbi sipërmarrjen shqiptare në Puglia, “The Rooting of Albanian and Montenegrin Entrepreneurship in Apulia”, i realizuar në kuadër të projektit BRESTAT dhe mbështetur në të dhënat e Registro Imprese, tregon se në fund të vitit 2025 në kompanitë aktive të rajonit rezultonin 1,734 persona të lindur në Shqipëri me pozicione aktive në biznes.
Prej tyre, 1,051 janë pronarë, 583 administratorë ose drejtues dhe 80 ortakë. Kjo do të thotë se rreth 94% e shqiptarëve të regjistruar në biznes janë të përfshirë drejtpërdrejt në pronësi ose në drejtimin e kompanive. Prania e shqiptarëve në ekonominë e Puglias është rritur ndjeshëm gjatë dekadës së fundit. Në vitin 2015 ishin 989 persona me pozicione në biznes, ndërsa në vitin 2020 numri arriti në 1,269. Në fund të vitit 2025 shifra shkoi në 1,734, duke shënuar një rritje prej rreth 75% në dhjetë vjet. Ndryshimi është edhe më i dukshëm në strukturën e kompanive. Numri i shqiptarëve të përfshirë në shoqëritë e kapitalit është rritur nga 167 në vitin 2015 në 491 në vitin 2025, ose 194% më shumë. Ndërtimi mbetet sektori kryesor i aktivitetit, me rreth 750 persona, por sipërmarrja shqiptare është zgjeruar edhe në tregti, shërbime, transport, hoteleri, industri ushqimore dhe bujqësi. Edhe pjesëmarrja e grave është rritur ndjeshëm. Nga 224 gra shqiptare me pozicione në biznes në vitin 2015, numri ka arritur në 403 në vitin 2025, me një rritje prej pothuajse 80%. Të dhënat tregojnë kështu një transformim të komunitetit shqiptar në Itali: nga emigracioni i fokusuar kryesisht te punësimi, drejt një pranie më të konsoliduar në pronësi, menaxhim dhe sipërmarrje. Në Puglia, ky transformim po shfaqet tashmë si një proces i qëndrueshëm i integrimit ekonomik të shqiptarëve në tregun italian.






Comments