Nga 61 në 46 bashki, harta e re territoriale kalon në komision

Komisioni për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike shqyrtoi sot projektligjin për ndarjen administrativo-territoriale, i cili parashikon riorganizimin e hartës së pushtetit vendor. Drafti i mazhorancës propozon bashkimin e 15 bashkive me njësi më të mëdha, duke e çuar numrin total nga 61 në 46. Pas shqyrtimit në Komision, projektligji pritet të shkojë për votim në seancën plenare të 8 tetorit. Për miratimin në Kuvend kërkohen 84 vota. Sipas propozimit, Fushë-Arrëzi do t’i bashkohet Pukës, Klosi Matit, Rrogozhina Kavajës, Dimal dhe Poliçan Beratit, Patosi Fierit, Divjaka Lushnjës, Selenica Vlorës, Maliqi Korçës, Këlcyra Përmetit, Memaliaj Tepelenës, Libohova Gjirokastrës, ndërsa Cërriku dhe Belshi Elbasanit dhe Prrenjasi Librazhdit.
Pas 12 vitesh nga reforma e vitit 2014, debati për ndarjen territoriale lidhet tashmë me një realitet ekonomik dhe demografik të ndryshuar. Reforma e vitit 2014 reduktoi 373 njësi vendore në 61 bashki. Synimi ishte krijimi i njësive me kapacitete më të mëdha administrative dhe financiare. Tashmë, sipas dokumenteve të Komisionit të Posaçëm, një nga arsyet për rishikimin e hartës është pikërisht ndryshimi i popullsisë, migrimi i brendshëm dhe nevoja për bashki me kapacitete më të forta përballë kërkesave të reja të zhvillimit.
Një prej argumenteve në favor të riorganizimit është krijimi i njësive më të mëdha që mund të kenë kapacitet më të mirë për të administruar të ardhurat, për të përgatitur projekte dhe për të kryer investime. Dokumentet e reformës së re e vendosin shëndoshjen financiare të bashkive, rritjen e të ardhurave vendore, optimizimin e shpenzimeve dhe përmirësimin e menaxhimit financiar në qendër të procesit. Po ashtu, reforma synon forcimin e planifikimit të zhvillimit lokal dhe rritjen e kapacitetit institucional. Kjo ka një rëndësi të veçantë sepse bashkitë nuk janë thjesht administrata që mbledhin taksa. Ato janë një pjesë e rëndësishme e ekonomisë lokale: menaxhojnë shërbime, investime publike, infrastrukturë, planifikim urban, mbrojtje civile, turizëm dhe një pjesë të politikave të zhvillimit ekonomik.






Comments