Ndalimi i importit nga Brazili, mishi mund të shtrenjtohet deri në 30%

Ndalimi i importeve të mishit nga Brazili pritet të sjellë rritje të kostove në tregun shqiptar. Paralajmërimi vjen nga Shoqata e Bareve dhe Restoranteve, e cila thotë se furnizimi me mish nga tregje të tjera do të kushtojë më shtrenjtë. Enri Jahaj, përfaqësues i Shoqatës së Bareve dhe Restoranteve, parashikon se rritja mund të reflektohet drejtpërdrejt te çmimet për konsumatorët.
“Kjo do të japë një efekt të menjëhershëm sepse do të ketë një rritje të çmimeve. Ky mish përdoret edhe si lëndë e parë në industrinë e sallamerisë dhe si produkt final në industrinë e bareve, restoranteve dhe hoteleve”, thotë Jahaj.
Sipas tij, rritja e çmimeve mund të jetë nga 20 deri në 30%, pasi tregu shqiptar do të duhet të zhvendoset drejt furnizuesve të tjerë. “Do të ketë një rritje që mendoj do të jetë nga 20-30%, si pasojë e reflektimit të tregut”, shprehet Jahaj, duke shtuar se nga tregjet alternative mishi importohet me një kosto mesatarisht 30-35% më të lartë se Brazili.






Comments