top of page

Nafta 219 lekë/litër, Braçe: Të hiqet taksa e qarkullimit

Aug 28
2 min read


Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, i ka bërë thirrje qeverisë të heqë taksën e qarkullimit nga çmimi i karburanteve, duke argumentuar se rritja e të ardhurave publike krijon hapësirë për të lehtësuar barrën fiskale mbi naftën, benzinën dhe produktet e tjera energjetike.


Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, Braçe e lidh propozimin me situatën e inflacionit dhe rritjen e çmimeve të karburanteve.


"Të heqim taksën e qarkullimit nga produktet energjitike-karburantet! Të mos lejojmë që inflacioni i hidrokarbureve të kthehet në inflacion strukturor!”, shkruan Braçe në reagimin e tij.


Sipas deputetit socialist, shifrat e të ardhurave publike të prezantuara nga Ministria e Financave dëshmojnë për rritje të qëndrueshme të të ardhurave dhe, për këtë arsye, sipas tij, është momenti për të rishikuar disa nga instrumentet fiskale që ndikojnë drejtpërdrejt te çmimet.



Në fokus të propozimit të tij është taksa e qarkullimit, e cila aplikohet për çdo litër karburant. "E kam fjalën për TAKSËN E QARKULLIMIT që ne e mbledhim për çdo litër karburant të paguar; çmimi i rritur i karburanteve ka pasur ndikim të qartë e të qëndrueshëm në inflacionin e këtij viti", shkruan Braçe.


Ai vlerëson se, në kushtet e rritjes së qëndrueshme të të ardhurave publike, qeveria duhet të ndërhyjë për të ulur këtë barrë mbi konsumatorët.


“Ndikuar edhe nga qëndrueshmëria e rritjes së të ardhurave, tani është koha që këtë taksë ta heqim nga çmimi i karburanteve”, thekson deputeti.


Sipas Braçes, heqja e taksës nuk do të kishte vetëm efekt në uljen e drejtpërdrejtë të çmimit të karburanteve për konsumatorët. Ai argumenton se masa mund të ndikojë edhe në luftën kundër kontrabandës dhe në uljen e blerjeve të karburanteve jashtë vendit.


"Jo vetëm që do kishte ndikim në uljen e çmimit të tyre për konsumatorin, por do të kishte edhe dy efekte shtesë”, shkruan ai.


Efekti i parë, sipas Braçes, do të ishte te kontrabanda e karburanteve, veçanërisht në kufi me Kosovën dhe në tregun e brendshëm.


"Do ndikonte mbi kontrabandën e karburanteve – veçanërisht me Kosovën dhe brenda vendit", argumenton ai.


Ndërsa efekti i dytë do të lidhej me fenomenin e blerjes së karburanteve në vendet fqinje, ku çmimet mund të jenë më të favorshme.


Braçe thotë se heqja e taksës do të eliminonte tregtinë abuzive kufitare për qytetarët që udhëtojnë drejt Malit të Zi, Kosovës apo Maqedonisë së Veriut për të blerë karburant.


Thirrja e Braçes vjen në një periudhë kur çmimet e karburanteve në Shqipëri i janë rilthyer rritjes, me naftën që tregtohet me 219 lekë/litër.


Comments


Na ndiqni për zhvillimet nga ekonomia në llogaritë:

  • Facebook
  • Instagram
bottom of page