Më pak kosto dhe procedura më të shpejta, Kadastra njofton rregulla të reja për pronat pa titull

Agjencia Shtetërore e Kadastrës ka njoftuar ndryshime të reja në VKM nr. 827/2020, që lidhen me pajisjen me titull pronësie të ndërtimeve pa titull, trojeve funksionale dhe oborreve në përdorim. Ndryshimet synojnë të përshpejtojnë procedurat dhe të ulin kostot për qytetarët, ndërsa një pjesë e rëndësishme e procesit do të mund të zhvillohet në mënyrë të përbashkët për disa pasuri. Sipas Kadastrës, trajtimi i pasurive mund të bëhet edhe në bllok, sipas blloqeve kadastrale. Kjo do të thotë se verifikimet në terren mund të kryhen njëkohësisht për një numër më të madh pasurish, në vend që procedurat të zhvillohen veçmas për çdo pronë. Synimi është që kjo mënyrë organizimi të ndihmojë në përshpejtimin e procesit të formalizimit.
Një tjetër ndryshim lidhet me tarifat që duhet të paguajnë qytetarët. Kur procedura nis kryesisht nga ASHK-ja, për objektet me funksion banimi nuk aplikohet tarifa standarde e shërbimit. Kjo përfshin tarifën prej 3 mijë lekësh për ndërtimet pa leje dhe tarifën prej 10 mijë lekësh për objektet pa titull, trojet funksionale dhe oborret në përdorim. Pra, në rastet kur procedura nis nga vetë Kadastra, qytetari nuk do të përballet me këto tarifa standarde për objektet me funksion banimi. Ndryshime janë bërë edhe për sipërfaqen e trojeve funksionale dhe oborreve në përdorim për ndërtesat e ngritura para vitit 1991.
Kadastra sqaron se për këto ndërtime sipërfaqja mund të shkojë deri në 300 metra katrorë. Përcaktimi bëhet duke marrë parasysh nevojat reale të objektit, si dhe kuadrin ligjor që ka qenë në fuqi në kohën kur është ndërtuar, pra përpara vitit 1991. Kjo i referohet rasteve kur krahas ndërtesës duhet të trajtohet edhe trualli funksional apo oborri që përdoret në lidhje me të.
Sipas ASHK-së, qëllimi i ndryshimeve është që procesi i formalizimit të pronave të jetë më i shpejtë dhe më i thjeshtë për qytetarët, duke reduktuar kostot në rastet kur procedura ndërmerret nga administrata dhe duke përshtatur trajtimin e pronave me situatën reale në terren. Ndryshimet në VKM nr. 827/2020 kanë hyrë në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.






Comments