top of page

Mijëra legalizime në gusht, ja ku mund ta gjeni dokumentin tuaj

Sep 7
2 min read

Procesi i legalizimit të ndërtimeve informale ka vijuar edhe gjatë muajit gusht, me 3.245 vendime legalizimi të dhëna nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës. Ndryshe nga procedurat tradicionale, qytetarët që kanë përfituar nuk kanë nevojë të paraqiten fizikisht pranë zyrave të Kadastrës për të tërhequr dokumentin. Sipas ASHK-së, vendimi u dërgohet drejtpërdrejt në profilin personal në e-Albania, i pajisur me vulë digjitale dhe nënshkrim elektronik.


Përveç dokumentit që gjendet në llogarinë personale në e-Albania, ASHK ka publikuar edhe listat emërore të qytetarëve përfitues. Këto lista janë bërë publike në faqen zyrtare të Agjencisë, në rubrikën “Afishime”, dhe janë organizuar sipas Drejtorive Vendore përkatëse. Kjo u jep mundësi qytetarëve të verifikojnë nëse emri i tyre është përfshirë në vendimet e legalizimit të miratuara gjatë gushtit.


Sipas procedurës së njoftuar nga ASHK, qytetari që rezulton përfitues mund ta aksesojë vendimin elektronikisht, pa pasur nevojë për një vizitë në sportelet e Kadastrës. Ndërsa listat e publikuara në internet kanë rol informues, dokumenti i legalizimit gjendet në profilin personal të përfituesit në e-Albania. ASHK u bën thirrje qytetarëve që të kontrollojnë si listat e publikuara në rubrikën “Afishime”, ashtu edhe profilet e tyre në e-Albania, për të verifikuar nëse janë përfshirë në vendimet e dhëna gjatë muajit gusht.


"Viti 2025 me 2.6101 legalizime, ka qenë viti më i miri sa i takon legalizimeve që kur është krijuar ASHK, në 2019. Për 6-mujorin e parë të 2026-ës kemi miratuar 17.396 vendime legalizimi, është një numër më i lartë në 2023-2024, dhe do të jetë vit edhe më i mirë se viti 2025. Patjetër, që kemi një numër shumë të madh dosjesh për këtë proces. Afati ligjor në ligj për të mbyllur legalizimet është 2028-ta", deklaroi pak muaj më parë drejtoresha e Kadastrës, Lorena Goxhobelli në raportimin vjetor në komision.


Procesi i legalizimit mbetet një prioritet, pasi ai u garanton qytetarëve siguri ligjore mbi pronën dhe krijon mundësi për zhvillim të qëndrueshëm urban. Gjithashtu, procesi i legalizimeve po vijon pa ndërprerje, me qëllim finalizimin e çdo rasti dhe garantimin e dokumentacionit të plotë ligjor për qytetarët. Legalizimi i objekteve informale jo vetëm që u jep fund pasigurive pronësore për mijëra familje, por krijon edhe mundësi të reja për zhvillim urban, investime dhe rritje të vlerës së pronës.


Comments


Na ndiqni për zhvillimet nga ekonomia në llogaritë:

  • Facebook
  • Instagram
bottom of page