Mijëra biznese online, shmangin taksat. Tatimet zbulojnë planin
- 6 days ago
- 1 min read

Administrata Tatimore ka publikuar Planin Sektorial për Tregtinë dhe Shërbimet Online, një nismë që synon formalizimin e ekonomisë dixhitale nga bizneset që operojnë në internet. Plani vjen në kushtet e zgjerimit të tregtisë elektronike në Shqipëri dhe synon të krijojë kushte të barabarta konkurrimi mes operatorëve ekonomikë, duke adresuar aktivitetet e paregjistruara dhe deklarimet jo të plota të detyrimeve tatimore.
Në fokus të planit do të jenë regjistrimi i tatimpaguesve, deklarimi i qarkullimit, TVSH-ja, deklarimi i punonjësve dhe pagave, si dhe faturimi elektronik.
Administrata Tatimore do të përdorë analizën e riskut dhe shkëmbimin e të dhënave me institucione dhe operatorë të tjerë për të identifikuar subjektet dhe aktivitetet me risk më të lartë.
Sipas planit, ndërhyrjet do të synojnë fillimisht rritjen e pajtueshmërisë vullnetare, ndërsa për rastet me risk të lartë parashikohen veprime të koordinuara nga administrata.
Nisma lidhet me objektivat e Strategjisë Afatmesme të të Ardhurave 2024–2027 dhe Planit Strategjik të Administratës Tatimore 2024–2028, me synim uljen e informalitetit dhe rritjen e të ardhurave buxhetore.
Administrata Tatimore u ka bërë thirrje bizneseve që ofrojnë produkte dhe shërbime online të përmbushin detyrimet ligjore, duke theksuar nevojën për një treg dixhital transparent dhe konkurrencë të barabartë mes operatorëve.






Comments