Mbi 2 milionë euro blerje në Itali përmes “Tax Free”, Doganat zbulojnë dy raste të dyshuara kontrabande

Drejtoria e Përgjithshme e Doganave ka referuar në Prokurorinë e Tiranës materialet e një hetimi për dy raste të dyshuara të përdorimit të skemës “Tax Free” për përfitimin e rimbursimit të TVSH-së dhe futjen e mallrave në Shqipëri pa kryer procedurat e detyrueshme të importit.
Hetimi është zhvilluar në bashkëpunim me administratën doganore italiane, ADM – Direzione Antifrode e Controlli, si dhe me institucione të tjera ligjzbatuese në Shqipëri. Në fokus të verifikimeve janë më shumë se 1,000 faturime individuale, me një vlerë totale prej rreth 2 milionë euro. Konkretisht, rasti i parë përfshin transaksione me vlerë rreth 988,684 euro, ndërsa rasti i dytë rreth 1,033,338 euro.
Transaksionet janë kryer gjatë periudhës janar 2022 – korrik 2025 dhe janë evidentuar pas shkëmbimit të informacionit me autoritetet italiane, në kuadër të analizës së riskut. Sipas të dhënave të bëra publike nga Doganat, analiza ka evidentuar një frekuencë të lartë të blerjeve, mungesë të burimeve të ligjshme të të ardhurave që justifikojnë këto shpenzime, si dhe mospërputhje lidhur me destinacionin e mallrave. Në disa raste janë regjistruar deri në 9–11 fatura brenda një dite, ndërsa mesatarisht janë evidentuar rreth 13 fatura në muaj për secilin rast. Sipas skemës së dyshuar nga autoritetet, mallrat janë blerë në Itali dhe janë deklaruar për përdorim personal, duke përfituar rimbursimin e TVSH-së përmes sistemit “Tax Free”. Dyshohet se një pjesë e këtyre mallrave më pas janë futur në territorin shqiptar për qëllime tregtare, pa u deklaruar si importe dhe pa kryer procedurat përkatëse doganore. Drejtoria e Përgjithshme e Doganave ka bërë me dije se materialet paraprake dhe gjetjet e hetimit i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
Autoritetet doganore deklarojnë se do të vijojnë bashkëpunimin me homologët italianë dhe institucionet e tjera ligjzbatuese për identifikimin e transaksioneve të dyshimta dhe goditjen e rasteve të evazionit dhe shkeljeve doganore.






Comments