top of page

Manifaktura kërkon ndryshim rregullash, zbardhen 6 kërkesat për Paketën Fiskale

Sep 7
3 min read

Sektori i manifakturës i ka paraqitur Ministrisë së Financave një paketë me gjashtë propozime konkrete për t’u përfshirë në diskutimet për Paketën Fiskale 2027. Kërkesat synojnë kryesisht uljen e kostove për kompanitë prodhuese, ruajtjen e vendeve të punës, nxitjen e investimeve dhe përshpejtimin e modernizimit teknologjik të industrisë. Në letrën drejtuar ministrit të Financave, Petrit Malaj, shoqata argumenton se sektori po përballet me presione të shumta, mes rritjes së kostove të punës dhe prodhimit, ndryshimeve të kursit të këmbimit, mungesës së fuqisë punëtore dhe konkurrencës së fortë në tregjet ndërkombëtare. Sipas saj, një tjetër sfidë është përshtatja e bizneseve shqiptare me kërkesat që sjell procesi i integrimit në Bashkimin Evropian. “Procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian do të kërkojë nga kompanitë shqiptare përshtatjen me standarde më të larta teknologjike, mjedisore dhe organizative”, thuhet në dokument. Për këtë arsye, Shoqata “Manifaktura Shqiptare” kërkon që politika fiskale për vitin e ardhshëm të ketë një orientim më të fortë drejt prodhimit dhe investimeve.


1. Pragu i patatueshëm të lidhet me pagën minimale


Kërkesa e parë lidhet me mënyrën se si llogaritet tatimi mbi të ardhurat nga paga. Shoqata propozon që tatimi të fillojë vetëm mbi nivelin e pagës minimale dhe që ky prag të përshtatet automatikisht sa herë ndryshon paga minimale. Sipas përfaqësuesve të industrisë, kjo do të shmangte rritjen automatike të barrës fiskale për punonjësit pas çdo rritjeje të pagës minimale. Masa, sipas tyre, do të ishte veçanërisht e rëndësishme për sektorët ku numri i punonjësve është i lartë dhe kostoja e punës zë një peshë të konsiderueshme në shpenzimet e kompanive.


2. Ulje të kontributeve për sektorët me shumë punonjës


Një tjetër kërkesë është lehtësimi i kostos së punës për kompanitë prodhuese me intensitet të lartë punësimi.

Shoqata kërkon “reduktimin ose kompensimin e pjesshëm të kontributeve të sigurimeve shoqërore që paguan punëdhënësi” për këta sektorë. Sipas propozimit, një skemë e tillë mund të shoqërohet me kushte të qarta, si ruajtja ose shtimi i vendeve të punës, formalizimi i punësimit dhe respektimi i detyrimeve fiskale. Pra, lehtësimi nuk kërkohet pa kushte, por si një instrument që do të lidhej drejtpërdrejt me punësimin dhe formalizimin e ekonomisë.


3. Amortizimi fiskal nga 20% në 40%


Në fokus të kërkesave është edhe stimulimi i investimeve në makineri dhe teknologji. Shoqata propozon që norma e amortizimit fiskal për makineritë, pajisjet dhe teknologjinë prodhuese të rritet nga 20% në 40%. Sipas saj, amortizimi i përshpejtuar do t’u mundësonte kompanive të rikuperonin më shpejt investimet e kryera dhe do të krijonte më shumë nxitje për automatizimin dhe modernizimin e proceseve të prodhimit. “Amortizimi i përshpejtuar do t’i mundësonte kompanive rikuperimin më të shpejtë të investimeve dhe do të stimulonte modernizimin teknologjik, automatizimin dhe rritjen e produktivitetit”, argumenton shoqata.


4. Heqje ose ulje të tarifave doganore për lëndët e para


Manifaktura kërkon gjithashtu rishikimin e tarifave doganore për lëndët e para, materialet, aksesorët dhe komponentët që nuk prodhohen në Shqipëri, por që përdoren drejtpërdrejt në proceset prodhuese. Sipas shoqatës, kjo masë do të ishte veçanërisht e rëndësishme për kompanitë që duan të kalojnë nga modeli i përpunimit aktiv drejt prodhimit të plotë dhe krijimit të produkteve me vlerë më të lartë të shtuar në Shqipëri.

Në dokument bëhet dallimi edhe me regjimin e përpunimit aktiv, për të cilin ekzistojnë tashmë lehtësi për mallrat që përpunohen dhe më pas rieksportohen. Kërkesa e shoqatës synon kryesisht kompanitë që blejnë vetë lëndën e parë dhe realizojnë të gjithë ciklin e prodhimit.


5. Përjashtim nga tatim-fitimi për fitimin që riinvestohet


Një nga propozimet më të rëndësishme është trajtimi fiskal i fitimit që kompanitë vendosin ta rikthejnë në aktivitetin e tyre. Shoqata kërkon që pjesa e fitimit të riinvestuar në prodhim të përjashtohet nga tatim-fitimi, në rastet kur paratë përdoren për blerje makinerish, teknologji, automatizim, zgjerim kapacitetesh apo investime të tjera të lidhura drejtpërdrejt me aktivitetin prodhues. Argumenti i shoqatës është se fitimi që rikthehet në kompani për të rritur kapacitetet dhe punësimin duhet të ketë një trajtim të ndryshëm nga fitimi që shpërndahet.

“Fitimi që riinvestohet, rrit kapacitetet prodhuese dhe krijon zhvillim e vende pune duhet të trajtohet fiskalisht ndryshe nga fitimi që shpërndahet”, thuhet në kërkesë.


6. Fond i posaçëm për teknologjinë dhe automatizimin


Kërkesa e gjashtë lidhet me krijimin e një skeme të dedikuar grantesh për modernizimin teknologjik të industrisë. Shoqata kërkon që në politikat fiskale dhe buxhetore të vitit 2027 të parashikohet një fond për investime në makineri të avancuara, automatizim, robotikë, digjitalizim, software industrial dhe eficiencë energjetike. Modeli i propozuar është bashkëfinancimi shtet–biznes, ku një pjesë e kostos së investimit do të mbulohej përmes grantit. Shoqata sqaron se kjo kërkesë nuk synon të përsërisë lehtësitë ekzistuese për TVSH-në e importit për kategori të caktuara makinerish. “...kërkesa jonë nuk synon përsëritjen e një lehtësie ekzistuese, por financimin real të një pjese të kostos së investimit teknologjik”, thuhet në dokument.


Comments


Na ndiqni për zhvillimet nga ekonomia në llogaritë:

  • Facebook
  • Instagram
bottom of page