Mali i Zi ul sërish akcizën e naftës. Po në Shqipëri?
- 3 days ago
- 2 min read

Qeveria e Malit të Zi ka vendosur një tjetër ulje të përkohshme të akcizës për naftën, në një përpjekje për të amortizuar ndikimin e rritjes së kostove ndërkombëtare të karburanteve. Nga 18 gushti, akciza për naftën është vendosur në 0.396 euro për litër, nga 0.440 euro që është niveli i zakonshëm. Masa është parashikuar të zbatohet deri më 31 gusht.
Megjithatë, ndërhyrja fiskale nuk ka mjaftuar për të shmangur rritjen e çmimeve në pompa. Për periudhën 18–24 gusht, një litër diesel në Mal të Zi kushton 1.88 euro, ndërsa benzina Eurosuper 98 është rritur në 1.80 euro për litër. Pra, Podgorica po përdor një nga instrumentet që ka në dispozicion qeveria, uljen e barrës fiskale, për të kufizuar efektin e shtrenjtimit të naftës në tregjet ndërkombëtare. Kjo nuk është hera e parë gjatë këtij viti që Mali i Zi ndërhyn në akcizat e karburanteve.
Qeveria malazeze ka bërë disa ndryshime të përkohshme në nivelin e taksimit, duke tentuar të përshtatet me luhatjet e forta të tregut ndërkombëtar. Në një fazë të mëparshme të krizës, ulja e akcizës ishte edhe më e ndjeshme, ndërsa më pas niveli është rishikuar në varësi të ecurisë së çmimeve.
Po Shqipëria?
Në Shqipëri situata është më e ndryshme. Çmimi i naftës në tregun vendas është rritur sërish dhe gjatë ditëve të fundit ka arritur në 219 lekë për litër, ndërsa benzina ka kaluar nivelin e 200 lekëve. Kjo rritje vjen pas një periudhe të gjatë luhatjesh të forta të çmimeve, të ndikuara nga zhvillimet në tregun ndërkombëtar të naftës dhe tensionet gjeopolitike.
Ndryshe nga Mali i Zi, Shqipëria nuk po aplikon aktualisht një ulje të drejtpërdrejtë të akcizës në nivelin e çmimit që po shitet nafta sot. Sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, akciza për gazoilin është 38.8 lekë për litër.
Qeveria shqiptare ka parashikuar një mekanizëm për uljen me 20% të akcizës në kushtet e një rritjeje të caktuar të çmimit. Sipas aktit normativ, ulja aktivizohet kur çmimi me pakicë i përcaktuar nga Bordi i Transparencës kalon 220 lekë për litër për naftën. Por aktualisht bordi nuk është i riaktivizuar me vendim qeverie.






Comments