top of page

Lëvizje e papritur nga qeveria, Kadastra dhe ATP bëhen një. Ja çfarë ndryshon për pronat

Sep 9
3 min read

Qeveria po ndërmerr një reformë të thellë në institucionet që trajtojnë çështjet e pronave në vend. Nga reforma preken konktetisht Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe Agjencia e Trajtimit të Pronave. Një projektligj i hedhur për konsultim publik parashikon krijimin e Agjencisë Shtetërore të Pronës, duke bashkuar Agjencinë Shtetërore të Kadastrës me Agjencinë e Trajtimit të Pronës. Sipas draftit, institucioni i ri do të ketë nën një strukturë regjistrimin e pasurive të paluajtshme, administrimin e pronave shtetërore, si dhe proceset e njohjes dhe kompensimit të ish-pronarëve. ASHP parashikohet të nisë aktivitetin jo më vonë se gjashtë muaj pas hyrjes në fuqi të ligjit.


Kompetencat e Agjencisë së re do të jenë të gjera. Ajo do të regjistrojë pasuritë e paluajtshme dhe të drejtat reale mbi to, do të vijojë proceset e trajtimit dhe kompensimit të ish-pronarëve, si dhe do të merret me inventarizimin dhe përditësimin e pronave të shtetit. Në strukturën e ASHP-së parashikohet të funksionojnë dy drejtori të posaçme: Drejtoria e Trajtimit të Pronës dhe Drejtoria e Pronave Shtetërore. Agjencia do të jetë person juridik publik në varësi të Kryeministrit dhe do të financohet nga të ardhurat e saj, buxheti i shtetit, donacionet, financimet e huaja dhe kreditë.


Modeli i ri drejtues parashikon një Këshill Drejtues me 9 anëtarë, ku do të përfaqësohen institucione të ndryshme shtetërore. Drejtori i Përgjithshëm i ASHP-së do të emërohet dhe shkarkohet nga Kryeministri. Ai do të ketë në varësi edhe dy zëvendësdrejtorë të përgjithshëm.


Një nga ndryshimet e parashikuara në projektligj lidhet me certifikatën e pronësisë, e cila përcaktohet si dokumenti unik dhe i papërsëritshëm që provon titullin e pronësisë, statusin ligjor dhe kufijtë e pasurisë. Pas regjistrimit fillestar ose ndryshimit të pronësisë, drejtoria vendore do të lëshojë certifikatën së bashku me dokumentacionin përkatës kadastral. Një tjetër parashikim me rëndësi është se pasuria e certifikuar nga drejtoria vendore nuk do t'i nënshtrohet verifikimit të origjinës së pronës kur mbi të kryhen transaksione të tjera.

Drafti parashikon gjithashtu mbrojtje për qytetarët në rast të gabimeve të shkaktuara nga vetë administrata. Nëse gabimi në kartelën ose hartën kadastrale është shkaktuar nga drejtoria vendore apo strukturat përgjegjëse, korrigjimi nuk do të tarifohet. Në raste të caktuara mund të kryhet edhe riverifikim në terren.

Një tjetër parim i projektligjit është reduktimi i dokumenteve që qytetari duhet të paraqesë.


Për titujt e regjistruar, ASHP do të duhet të verifikojë vetë lidhjen e pronarit me pasurinë, pa e detyruar atë të sjellë dokumente që gjenden në institucion. Po ashtu, informacioni bazë për hartën kadastrale dhe adresën e pronës parashikohet të jetë publik pa kërkesë të veçantë. Projektligji parashikon edhe masa administrative për punonjësit që shkelin detyrimet. Vonesa në përgjigje, tejkalimi i afateve të regjistrimit, humbja e dokumenteve apo ndërhyrjet e paautorizuara në regjistrat kadastralë mund të ndëshkohen me gjoba nga 5 mijë deri në 500 mijë lekë, në varësi të shkeljes dhe pasojave. Qytetarët do të kenë mundësi të ankimojnë aktet ose mosveprimet e Agjencisë administrativisht, ndërsa drafti u lejon edhe t'i drejtohen gjykatës kompetente.


Kalimi nga ASHK dhe ATP drejt institucionit të ri do të bëhet gradualisht. Arkivat, sistemet elektronike, pajisjet dhe baza materiale do të transferohen te ASHP. Punonjësit e dy institucioneve do të konsiderohen punonjës të Agjencisë së re për një periudhë tranzitore gjashtëmujore, nëse nuk preken nga ristrukturimi dhe plotësojnë kriteret e përcaktuara. Në thelb, drafti synon të centralizojë administrimin e pronës në Shqipëri, duke bashkuar Kadastrën, trajtimin dhe kompensimin e ish-pronarëve dhe administrimin e pronave shtetërore në një institucion të vetëm.


Comments


Na ndiqni për zhvillimet nga ekonomia në llogaritë:

  • Facebook
  • Instagram
bottom of page