Leku forcohet, por çmimet nuk bien! Qeveria kërkon llogari nga importuesit

Zhvlerësimi i euros ndaj lekut vijon prej vitesh, duke i bërë importet më të lira për tregun shqiptar. Por, pavarësisht një forcimi të lekut ndaj euros me rreth 30%, kjo ulje e kostos së importeve nuk është reflektuar në të njëjtën masë në çmimet që paguajnë konsumatorët. Ky është një nga shqetësimet që qeveria po ngre në takimet me supermarketet dhe furnitorët, në kuadër të nismës “Pasqyra e Çmimeve”. Qëllimi është të kuptohet se në cilën hallkë të zinxhirit formohet rritja e çmimeve dhe pse avantazhi që vjen nga kursi i këmbimit nuk po përcillet te konsumatori. Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, tha se forcimi i lekut duhet të kishte sjellë një ulje të çmimeve të produkteve të importuara, veçanërisht duke pasur parasysh peshën e importeve në konsumin vendas. Sipas saj, qeveria nuk mund të ndikojë drejtpërdrejt në tregjet ndërkombëtare, por mund të kërkojë transparencë dhe të analizojë mënyrën se si formohen çmimet në tregun vendas.
"Në vitet e fundit, ne të gjithë bashkë kemi parë, kemi diskutuar dukuri të cilat duhet të kishin ndikuar në reduktimin e çmimeve. Për shembull, nënvlerësimi i euros, mbivlerësimi i lekut, pra forcimi i lekut duhet të kishte ndikuar domosdoshmërisht në një reduktim të çmimeve, duke qenë se minimalisht 40% e produkteve të shportës importohen. Që do të thotë që për ne, për konsumatorët shqiptarë, nga momenti që leku është më i fortë, ato produkte duhet të jenë pak më të lira. Sigurisht që besoj që ka arsye pse kjo nuk ka ndodhur, por për ta kuptuar më mirë këtë dukuri, ne duhet të kuptojmë se çfarë ndodh, ku dhe pse çmimet vazhdojnë të rriten në vend. Çfarë ndodh kur duhet të ulen për shkak të forcimit të lekut, për shkak të zhvillimeve pozitive në ekonominë shqiptare? Pse këto zhvillime pozitive nuk transferohen te konsumatorët? Unë, për analizë, iu referova raportit të fundit të Bankës së Shqipërisë, i cili tregon se inflacioni i importuar në gjashtëmujorin e parë të vitit ka qenë në rënie, që do të thotë që janë produktet vendase që janë më të shtrenjta. Po pse janë ato më të shtrenjta? Kush është hallka e zinxhirit që i rrit ato", tha Ibrahimaj.
Në këtë kuadër, qeveria po kërkon nga importuesit, furnitorët dhe rrjetet e supermarketeve më shumë transparencë mbi kostot dhe çmimet, për të parë nëse ulja e kostos së importit si pasojë e kursit të këmbimit po reflektohet apo jo në çmimin final. Nisma “Pasqyra e Çmimeve” synon pikërisht të krijojë një pasqyrë më të qartë të çmimeve të produkteve në treg, duke krahasuar produktet vendase me ato të importuara dhe duke ndjekur hallkat e zinxhirit nga furnizimi deri te konsumatori.






Comments