Lajm i mirë për turistët, rehabilitohet rruga drejt Valbonës
- 10 hours ago
- 1 min read

Ka përfunduar rehabilitimi i aksit rrugor Bajram Curri–Valbonë, një prej rrugëve më të rëndësishme turistike në veri të Shqipërisë.
Sipas Autoritetit Rrugor Shqiptar, punimet janë realizuar në një gjatësi prej 26.5 kilometrash dhe kanë përfshirë riparimin e shtresave asfaltike, si dhe rifreskimin e sinjalistikës horizontale dhe vertikale përgjatë gjithë segmentit.

Ndërhyrja ka përmirësuar kushtet e qarkullimit dhe synon të rrisë sigurinë për drejtuesit e automjeteve, banorët e zonës dhe turistët vendas e të huaj që udhëtojnë drejt Valbonës.
Aksi Bajram Curri–Valbonë lidh qytetin me një prej destinacioneve më të vizituara turistike të Shqipërisë. Lugina e Valbonës është kthyer prej vitesh në një nga pikat kryesore të turizmit malor në veri të vendit, duke tërhequr vizitorë në çdo stinë.

Me përfundimin e punimeve, udhëtimi drejt Valbonës ofron tashmë kushte më të mira dhe një qarkullim më të sigurt, ndërsa përmirësimi i infrastrukturës rrugore lehtëson aksesin drejt këtij destinacioni të rëndësishëm turistik.






Comments