top of page

Lajm i mirë për kujdestarët e personave me aftësi ndryshe! Nga tetori shteti iu paguan sigurimet

Sep 22
1 min read

Dyfishohet pagesa për fëmijët me aftësi ndryshe dhe fëmijët e verbër deri në moshën 18 vjeç. Nga tetori, shteti do të nisë gjithashtu pagesën e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për kujdestarët e personave me aftësi të kufizuara dhe ndihmësit personalë. Lajmi u bë i ditur nga zëvendëskryeministrja Albana Koçiu gjatë një takimi me prindër në Qendrën Multifunksionale në Lezhë. Sipas saj, masa për dyfishimin e pagesave ka nisur të zbatohet që nga muaji gusht.


“Janë rreth 11 mijë fëmijë të cilët do të marrin pagesa të dyfishuara dhe nga fillimi i muajit tetor kemi mbi 14 mijë kujdestarë dhe ndihmës personalë, të cilëve do t’u paguhen kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore”, deklaroi Koçiu. Pagesa e kontributeve për kujdestarët synon t'u krijojë atyre mbulim në skemën e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Sipas Koçiut, kjo do t'u mundësojë kujdestarëve të kenë një pension në të ardhmen, si dhe të përfitojnë nga skema shëndetësore dhe mbështetja në raste të paaftësisë së përkohshme për punë apo aksidenteve në punë.


Zëvendëskryeministrja tha se rritja e pagesave financohet nga buxheti i shtetit dhe e lidhi këtë mbështetje me rritjen ekonomike dhe zgjerimin e politikave sociale. Gjatë takimit, Koçiu foli edhe për zgjerimin e shërbimeve sociale në bashkitë e vendit. Sipas saj, numri i shërbimeve sociale është rritur nga 83 rreth një vit e gjysmë më parë në 98 shërbime aktualisht. Në këto shërbime punojnë mbi 800 profesionistë të fushave të ndryshme, të cilët ofrojnë mbështetje për familjet dhe fëmijët me nevoja të veçanta.


Comments


Na ndiqni për zhvillimet nga ekonomia në llogaritë:

  • Facebook
  • Instagram
bottom of page