Lajm i mirë për administratën, hapen aplikimet për kredi për shtëpi pa interes

Punonjësit e administratës publike do të kenë mundësi të aplikojnë për kredi me 0% interes. Ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj njoftoi hapjen e aplikimeve për 300 kuota, të parashikuara për blerjen e një banese.
Thirrja e re do të hapet më 27 gusht, të premten, deri më 25 shtator 2026. Aplikimet do të kryhen përmes platformës e-Albania.
Skema synon të ndihmojë punonjësit e administratës publike që plotësojnë kriteret ligjore për të siguruar një banesë. Kredia do të mundësojë financimin e blerjes së apartamentit sipas çmimeve të referencës, ndërsa madhësia e banesës që mund të përfitohet do të përcaktohet në bazë të përbërjes familjare dhe certifikatës familjare.
Si ndahen 300 kuotat
Kuotat e parashikuara në këtë thirrje janë ndarë sipas institucioneve dhe strukturave përkatëse:
* 70 kredi për Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale;
* 70 kredi për Ministrinë e Mbrojtjes;
* 70 kredi për Ministrinë e Arsimit;
* 70 kredi për Ministrinë e Punëve të Brendshme;
* 20 kredi për Policinë e Burgjeve/Ministrinë e Drejtësisë.
Kush mund të aplikojë?
Për të përfituar nga kjo skemë, aplikanti duhet të jetë pjesë e administratës publike dhe të plotësojë kushtet e përcaktuara në legjislacionin për strehimin social.
Ndër kriteret kryesore është që aplikanti të mos ketë një banesë në pronësi apo një pronë në proces legalizimi. Përjashtim bëjnë rastet kur banesa që disponon familja është më e vogël se standardet e përcaktuara për strehimin.
Gjithashtu, aplikanti nuk duhet të ketë pasuri të paluajtshme ose të luajtshme me vlerë që kalon 50% të vlerës së banesës që kërkon të blejë përmes kredisë së lehtësuar. Një kusht tjetër është që përfituesi të mos jetë aktualisht pjesë e një programi tjetër të strehimit social.






Comments