top of page

"Ky është vetëm fillimi"/ Biznesi paralajmëron rritje të fortë të punëtorëve të huaj në vend

Aug 24
2 min read

Mungesa e fuqisë punëtore po i detyron bizneset shqiptare të kërkojnë punonjës përtej kufijve, ndërsa ardhja e shtetasve nga vendet e treta pritet të vijojë të rritet edhe në muajt e ardhshëm. Për biznesin, kjo nuk është më një alternativë, por një nevojë e diktuar nga boshllëqet në tregun vendas, veçanërisht për profilet e kualifikuara.


Edvin Prençe, nga Shoqata ProExport, thotë se orientimi drejt rekrutimit të punonjësve të huaj ka ardhur si pasojë e mungesës së theksuar të punonjësve shqiptarë, por edhe të vështirësive për të gjetur në tregun vendas profilet profesionale që kërkon industria.


Sipas tij, prurja e punonjësve nga vendet e treta ka dhënë rezultate pozitive edhe në produktivitet dhe ky proces pritet të marrë përmasa më të mëdha.


“Ka qenë një nevojë dhe ishte e detyrueshme që biznesi të orientohej drejt prurjes së punonjësve nga vendet e treta. Ka pasur benefitet e saj për sa i përket produktivitetit. Mendoj që ky është vetëm një fillim i një rrugëtimi të gjatë, sepse ekonomia shqiptare ka ende nevojë për përthithje të punonjësve”, shprehet Prençe.


Sipas tij, sfida për kompanitë shqiptare nuk lidhet vetëm me numrin e kufizuar të personave që kërkojnë punë, por edhe me nivelin e aftësive profesionale që kërkohen nga bizneset. Prençe parashikon se në muajt në vijim numri i shtetasve të huaj që vijnë në Shqipëri për punë do të vijojë të rritet.


“Duke pasur mungesë të theksuar të punonjësve shqiptarë dhe duke pasur mungesë të theksuar edhe të kualifikimit të punonjësve aktualë që janë në bizneset shqiptare, mendoj që prurja e këtyre punonjësve të huaj të kualifikuar është e domosdoshme. Mendoj që në muajt e ardhshëm do të ketë një rritje të përqindjes dhe të personave që do të vazhdojnë të vijnë në Shqipëri”, shprehet ai.


Prençe thotë se largimet e punonjësve të huaj vazhdojnë të ndodhin, por janë më sporadike krahasuar me periudhat e mëparshme. Për të, zgjidhja kërkon një treg më të rregulluar dhe kontroll më të fortë mbi agjencitë.


Pavarësisht kostove, Prençe thotë se një pjesë e mirë e bizneseve janë të kënaqura me këtë mënyrë rekrutimi, pasi u mundëson të sigurojnë punonjës në një kohë kur tregu vendas nuk po arrin të plotësojë kërkesat e industrisë. Një tjetër tregues që, sipas Prençes, flet për përshtatjen e punonjësve të huaj në Shqipëri është kërkesa e tyre për të sjellë edhe familjarët.


Në vitin e shkuar, sipas INSTAT, të huajt e pajisur me leje qëndrimi në Shqipëri u rritën me 46.6%, duke arritur në afro 32 mijë të tillë. 55.5% e tyre kanë ardhur në Shqipëri për qëllim punësimi.

Comments


Na ndiqni për zhvillimet nga ekonomia në llogaritë:

  • Facebook
  • Instagram
bottom of page