top of page

Kush do të punojë nesër? 25 mijë studentë më pak në një dekadë

Oct 5
3 min read

Dyert e universiteteve janë hapur sot për vitin akademik 2026–2027. Rreth 120 mijë studentë pritet të jenë pjesë e arsimit të lartë në të gjithë vendin, ndërsa rreth 20 mijë të rinj ulen për herë të parë në auditorë. Por fotografia e këtij viti nuk mund të lexohet vetëm përmes numrit të studentëve që hyjnë sot në auditorë. Në sfond qëndron një prej ndryshimeve më të rëndësishme ekonomike të Shqipërisë: po zvogëlohet baza e të rinjve që do të hyjnë në tregun e punës në vitet e ardhshme. Të dhënat e INSTAT tregojnë se gjatë dekadës së fundit numri i studentëve në arsimin e lartë ka ndjekur një trajektore rënëse. Nga rreth 141.4 mijë studentë në vitin akademik 2015–2016, numri ka zbritur në rreth 115.7 mijë në 2025–2026. Kjo përfaqëson një rënie prej rreth 25.7 mijë studentësh, ose afërsisht 18%. Rënia nuk është vetëm një luhatje e një viti. Ajo vjen pas një periudhe të gjatë ku numri i të rinjve në Shqipëri është tkurrur si pasojë e kombinimit të rënie­s së lindjeve, emigracionit dhe ndryshimit të strukturës së popullsisë.


Një rënie prej 18% e studentëve nuk duhet parë vetëm si problem i universiteteve që kanë më pak regjistrime. Studentët e sotëm janë pjesë e fuqisë punëtore të nesërme. Një pjesë do të bëhen mjekë, inxhinierë, ekonomistë, specialistë IT-je, mësues, juristë apo profesionistë të tjerë. Nëse numri i të rinjve që hyjnë në arsimin e lartë dhe më pas në tregun e punës zvogëlohet, ekonomia përballet gradualisht me një rezervuar më të vogël të kapitalit njerëzor. Ky efekt është veçanërisht i rëndësishëm në një ekonomi ku bizneset raportojnë prej vitesh vështirësi për gjetjen e punonjësve me aftësitë e kërkuara. Problemi bëhet edhe më i madh nëse një pjesë e të diplomuarve zgjedh të largohet jashtë vendit.


Në këtë rast, Shqipëria nuk humbet vetëm studentin që nuk regjistrohet në universitet. Humb edhe investimin në arsim, vitet e formimit profesional dhe potencialin e tij për të kontribuar në ekonominë vendase. Tkurrja demografike ndryshon raportin mes ofertës dhe kërkesës për punë. Në një ekonomi me më pak të rinj, numri i personave që hyjnë në tregun e punës bie. Në afat të shkurtër kjo mund të duket pozitive për punonjësit, pasi mungesa e fuqisë punëtore mund të ushtrojë presion për rritjen e pagave. Por për bizneset, situata është më komplekse. Nëse nuk gjenden punonjësit e nevojshëm, kompanitë mund të përballen me kosto më të larta, të kenë vështirësi në zgjerim ose të shtyhen drejt automatizimit dhe investimeve në teknologji.


Banka Botërore e lidh drejtpërdrejt ndryshimin demografik me nevojën për rritje të produktivitetit. Në analizën e saj për Shqipërinë thekson se, duke qenë se popullsia në moshë shkollore po zvogëlohet, vendi duhet të përqendrohet më shumë në përmirësimin e rezultateve të arsimit dhe efikasitetit të shpenzimeve. Efekti më i madh i demografisë nuk do të shihet sot. Ai do të shfaqet gradualisht në dekadat e ardhshme. Studentët e sotëm janë kontribuesit e ardhshëm në skemën e pensioneve. Nëse numri i personave në moshë pune bie, ndërsa numri i të moshuarve rritet, raporti mes kontribuesve dhe përfituesve përkeqësohet. Banka Botërore paralajmëron pikërisht për këtë presion demografik. Sipas saj, vetëm 46% e popullsisë në moshë pune kontribuon në skemën e pensioneve, ndërsa deri në vitin 2060 deri në 34% e shqiptarëve mund të jenë mbi moshën e pensionit. Kjo do të thotë se një ekonomi me më pak të rinj përballet me një problem të dyfishtë: më pak njerëz për të prodhuar dhe kontribuar, por më shumë njerëz që do të kenë nevojë për pensione dhe shërbime publike.



Comments


Na ndiqni për zhvillimet nga ekonomia në llogaritë:

  • Facebook
  • Instagram
bottom of page