Kush bën dëm, paguan! Fatura do të vijë në shtëpi

“Kush shkakton dëm, e paguan” është parimi mbi të cilin Kryeministri Edi Rama prezantoi paketën e re ligjore pas episodeve të dhunës dhe dëmtimit të pronës gjatë protestave në Tiranë. Përmes një ligji të posaçëm për riparimin e dëmeve të shkaktuara gjatë tubimeve, qeveria synon të vendosë përgjegjësi financiare mbi personat që shkatërrojnë pronën publike apo private. Sipas Ramës, dëmet nuk duhet të mbeten barrë vetëm e buxhetit të shtetit dhe taksapaguesve, ndërsa autorët të mos përballen me pasojat financiare të veprimeve të tyre. “Ligji i ri që kemi hartuar për ‘riparimin e dëmeve të shkaktuara nga aktet e dhunës dhe dëmtimi i pronës gjatë tubimeve’ krijon themelin e qëndrueshëm për të ardhmen, mbi parimin e thjeshtë, ‘kush shkakton dëm, e paguan’, ku barra nuk bie më ekskluzivisht mbi taksapaguesit dhe buxhetin e shtetit si deri më sot”, deklaroi Kryeministri.
Sipas propozimit, përgjegjësia financiare do të jetë individuale dhe do të lidhet me dëmin e shkaktuar. .
Një nga elementet e parashikuara është edhe vendosja e gjobave deri në 500 mijë lekë për personat që qëndrojnë në një turmë ku ushtrohet dhunë, megjithëse janë në dijeni të saj dhe nuk largohen pas paralajmërimeve të policisë. Nga kjo masë parashikohen të përjashtohen gazetarët, mjekët, vëzhguesit, nëpunësit në detyrë dhe kalimtarët e rastësishëm.
Një nga çështjet kryesore është mënyra se si do të identifikohen autorët, do të përllogariten dëmet dhe do të mblidhen detyrimet financiare. Procesi pritet të nisë me dokumentimin e dëmit dhe identifikimin e personave përgjegjës, përmes provave të administruara nga autoritetet, përfshirë pamjet filmike, dëshmitë dhe aktet e konstatimit. Pasi të përcaktohen përgjegjësia dhe shuma për t'u paguar, detyrimi financiar mund t'i komunikohet personit përgjegjës në adresën e tij. Për dëmet e shkaktuara nga të miturit mbi 14 vjeç, Rama deklaroi se gjobat do të paguhen nga prindërit ose kujdestarët, sipas parashikimeve ligjore. Gjoba mund të mbërrijë ose në e-albania, në llogaritë e familjarëve, ose në faturat e ujit dhe të energjisë elektrike, ku mblidhen edhe detyrime të tjera.






Comments