Kujdes nëse lëvizni me makinë! Këto rrugë mbyllen sot në Tiranë

Disa prej rrugëve kryesore pranë stadiumit “Air Albania” do të bllokohen sot nga ora 17:00, në kuadër të masave të sigurisë për ndeshjen Shqipëri-Bjellorusi. Kufizimet e qarkullimit do të vijojnë deri në përfundim të takimit, që nis në orën 20:45.
Sipas planit të masave të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Policinë Bashkiake të Tiranës, qarkullimi do të ndalohet në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga zona pranë urës së ish-Hotel Dajtit, si dhe në rrugën “Papa Gjon Pali II”, te kryqëzimi i RTSH-së.
Bllokime do të ketë edhe në rrugën “Dervish Hima” dhe rrugën “Asim Zeneli”, pranë Ambasadës së SHBA-së, ndërsa kufizime do të aplikohen edhe në rrugën “Themistokli Gërmenji”, në hyrje.
Në listën e akseve të bllokuara janë edhe rruga “Ismail Qemali”, te kryqëzimi i RTSH-së, rruga “Lekë Dukagjini”, pranë ish-Gardës së Republikës, si dhe rruga “Abdyl Frashëri”, pranë kryqëzimit të Librit Universitar. Ndërkohë, te sheshi “Wilson”, pak para përfundimit të ndeshjes, lëvizja e automjeteve do të devijohet në drejtim të rrugës “Sami Frashëri”.
Policia sqaron se Rruga e Elbasanit, Unaza dhe bulevardi “Bajram Curri” do të jenë të lira për qarkullimin e mjeteve. Kufizimet janë pjesë e planit të sigurisë për ndeshjen Shqipëri-Bjellorusi, për shkak të fluksit të pritshëm të tifozëve.






Comments